Inteligjenca Artificiale në Programim - Universiteti Metropolitan Tirana

Inteligjenca Artificiale në Programim: Një Paradoks i Vetë-Zëvendësimit

Suada Peçi PhD (c)

Inteligjenca Artificiale, Programuesi i ri i vitit?

Inteligjenca Artificiale, si një nga fushat më sfiduese të teknologjisë moderne, po transformon çdo degë të industrisë. Duke filluar nga automatizimi i proceseve më të thjeshta e deri te vendimmarrja komplekse, e ardhmja e Inteligjencës Artificiale po merr forma të reja dhe shpesh të papritura. Krijimi i sistemeve inteligjente që mund të zëvendësojnë veprimtaritë e njerëzve, madje edhe vetë konceptuesit e këtyre sistemeve, është një nga objektivat afatgjatë të zhvilluesve të AI, çka ka ngritur debate dhe dilema të shumta për të ardhmen. Një nga aktorët kryesorë në këtë fushë, Mark Zuckerberg, ka deklaruar me besim se AI së shpejti do të jetë në gjendje të programojë në nivelin e një inxhinieri mesatar, duke sjellë një revolucion në industrinë e teknologjisë së software-it. Ky zhvillim do të ndikojë jo vetëm inxhinierët e rinj, por edhe ata që kanë kontribuar ndër vite në krijimin dhe zhvillimin e sistemeve inteligjente. Kjo hap disa pyetje të thella, përfshirë: Si duhet të evoluojnë kompetencat e profesionistëve të AI, kur vetë Inteligjenca Artificiale po bëhet e aftë të krijojë sisteme të tilla, të paktën po aq të sofistikuara? Çfarë do të ndodhë me profesionin e inxhinierit të software-it/programimit në një të ardhme ku AI mund të marrë përsipër shumë nga detyrat teknike që kryhen sot nga njerëzit? Sipas Zuckerberg, ky ndryshim nuk nënkupton fundin e programuesve, por një transformim të rolit të tyre. Me përdorimin e sistemeve inteligjente, inxhinierët e software-it do të kenë mundësinë të përqendrohen më shumë në kreativitet dhe vendimmarrje, duke i hapur rrugën krijimit të mundësive të reja. Në këtë mënyrë, profesioni i inxhinierit të software-it do të vendoset në një nivel tjetër, ku zgjidhjet inovative për problemet komplekse do të jenë primare. Përveç aspektit teknik, ky profesion do të përfshijë më shumë rol menaxherial, supervizimin e algoritmeve, optimizimin dhe testimin e software-it, si dhe përshtatjen e AI me nevojat specifike të industrisë dhe shoqërisë.

Një transformim i plotë i industrisë

A jemi ne gati të menaxhojmë fuqinë e kësaj teknologjie (AI) duke u mbështetur në parimet etike? Dhe si mund ta parandalojmë që ky tranzicion teknologjik të krijojë një hendek social midis atyre që e zotërojnë AI-në dhe atyre që rrezikojnë të mbeten të përjashtuar? Sistemet e Inteligjencës Artificiale janë të afta të përmirësojnë performancën dhe të përshtatin mënyrën e funksionimit të tyre, duke u bërë gjithnjë e më të sakta me kalimin e kohës, bazuar në përvojat e mëparshme. Zhvillimet e ardhshme pritet të sjellin rritje të autonomisë së AI-së, duke optimizuar performancën pa nevojën e monitorimit të vazhdueshëm, si dhe marrjen e vendimeve nga sistemet inteligjente në përputhje me parimet etike. Megjithatë, suksesi i këtij tranzicioni teknologjik do të varet nga mënyra se si qeveritë dhe kompanitë do të menaxhojnë ndikimin social dhe ekonomik të këtij ndryshimi të madh. Pavarësisht sfidave, një gjë është e sigurt: inteligjenca artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por po shndërrohet në një faktor transformues (Game-Changer) në industrinë e teknologjisë.

MATURA 2025

Nëse jeni maturant, ky është një seksion i dedikuar vetëm për ju.
Zbulojmë më shumë së bashku.