Përfaqësuesit e UMT në TechMomentum: Inovacion dhe Bashkëpunim Rajonal

Për dy ditë me radhë, përfaqësuesit e Universitetit Metropolitan të Tiranës, Dr. Igli Hakrama, drejtues i Qendrës së Inovacionit “Metropolitan”, dhe znj. Esmeralda Doku, morën pjesë në TechMomentum – Forumi i 9-të i Teknologjive të Avancuara, i cili u zhvillua në Parkun Shkencor dhe Teknologjik të Nišit

Këtë vit, fokusi kryesor i forumit ishte Inteligjenca Artificiale (AI) dhe ndikimi i saj në transformimin e sektorëve të ndryshëm të shoqërisë dhe ekonomisë. Aktiviteti mblodhi së bashku studiues, ekspertë të industrisë, inovatorë dhe përfaqësues të institucioneve publike nga Ballkani Perëndimor dhe më gjerë.

Gjatë forumit, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin panele diskutimi të nivelit të lartë, demostrime teknologjike të zgjidhjeve të bazuara në AI, si dhe të vizitojnë ambientet moderne të STP-së, ku zhvillohen dhe mbështeten startup-e të shumta rajonale.

Në kuadër të forumit u organizua edhe Takimi i Institucioneve të Inovacionit të Ballkanit Perëndimor, nën kujdesin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), ku Dr. Hakrama përfaqësoi Qendrën e Inovacionit Metropolitan të UMT-së. Në këtë kontekst u trajtuan tema si ndërtimi i kapaciteteve, transferimi i njohurive dhe roli i universiteteve si qendra zhvillimi për zgjidhje konkrete.

“Pjesëmarrja në këtë forum tregoi qartë se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe zhvillimi i qendrave të inovacionit në universitete është kyç për të përballuar sfidat moderne,” – u shpreh Dr. Igli Hakrama gjatë takimit.

Në përfundim të forumit, diskutimet u përqendruan në disa pika kyçe që synojnë të ndërtojnë një të ardhme më të qëndrueshme dhe të ndërlidhur në fushën e teknologjisë. U vu theksi mbi domosdoshmërinë për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet universiteteve, industrisë dhe institucioneve publike, duke e konsideruar këtë treshe si motorin kryesor të inovacionit rajonal.

Po ashtu, u nënvizua rëndësia e krijimit dhe forcimit të ekosistemeve inovative që mbështesin startup-et, duke ofruar jo vetëm financim dhe infrastrukturë, por edhe mentorim, rrjete bashkëpunimi dhe akses në tregje të reja.

Së fundmi, pjesëmarrësit ndanë bindjen se ndërtimi i urave të bashkëpunimit rajonal në fushën e teknologjisë dhe dijes është thelbësor për të përballuar sfidat globale dhe për të përfituar nga potenciali i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këto lidhje nuk shihen vetëm si partneritete strategjike, por si një domosdoshmëri për zhvillim të qëndrueshëm dhe të balancuar në të gjithë rajonin.

Përfaqësuesit e UMT u shprehën të frymëzuar nga energjia pozitive dhe përkushtimi i aktorëve rajonalë për një të ardhme digjitale dhe shprehën gatishmërinë për të fuqizuar projektet dhe partneritetet në vazhdim.