Hackathon 2025 - Universiteti Metropolitan Tirana

UMT Hackathon 2025: Mbi 180 të rinj shqiptarë sfiduan teknologjinë me krijimtari dhe pasion

Më 11 dhe 12 prill 2025, Elbasani nuk ishte thjesht një qytet mikpritës ai u kthye në një laborator të gjallë të mendjes dhe pasionit rinor. Në UMT Hackathon 2025, mbi 180 gjimnazistë nga 9 qytete të Shqipërisë u bënë pjesë e një gare që tejkaloi kufijtë e një aktiviteti teknik, duke u kthyer në një platformë të fuqishme të bashkëpunimit, krijimtarisë dhe vetëbesimit për brezin e ri.

Në dy ditë intensive, teknologjia u bë gjuhë universale, ku nxënësit ndërtuan robotë, prezantuan ide, dhe mbi të gjitha u ndjenë të dëgjuar. UMT Hackathon nuk ishte vetëm për koduesit më të mirë, por për ata që patën kurajën të provojnë, të gabojnë, dhe të mësojnë me entuziazëm.

I organizuar nga Universiteti Metropolitan Tirana në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, eventi u zhvillua në ambientet e hotelit “Imperial” në zemër të Elbasanit. Që në hapjen zyrtare, u ndie vlera që kjo nismë kishte për të rinjtë – jo vetëm si garë, por si një trampolinë për zhvillim personal dhe profesional.

“Të rinjtë shqiptarë kanë potencial të jashtëzakonshëm për inovacion, mjafton t’u jepet hapësira dhe mbështetja e duhur,” theksoi Dr. Sonila Daiu, Dekane e Studentëve në UMT. Ndërsa Prof. Assoc. Dr. Ligor Nikolla, Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe IT, vuri theksin mbi rëndësinë e praktikës në arsimin teknologjik. Për Ing. Arjan Çukaj, President i UMT-së, ky Hackathon është vetëm hapi i parë i një platforme më të madhe që synon të fuqizojë talentin e ri në teknologji dhe inovacion.

Mbështetja nga institucionet nuk mungoi. Z. Geron Ibrahimi, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Rinisë, tha: “Të investosh te të rinjtë përmes arsimit dhe teknologjisë është investimi më i sigurt për të ardhmen e vendit.” Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Znj. Bora Muzhaqi, dhe Ministri për Pushtetin Vendor, Z. Arbjan Mazniku, përgëzuan pjesëmarrësit për energjinë dhe përkushtimin që treguan.

23 ekipe, 23 projekte inovatore

Pas ceremonisë së hapjes, dita e parë nisi me sesione mentorimi dhe punë intensive. Nxënësit, të ndarë në 23 ekipe, projektuan idete e tyre, duke u përballur me sfida teknike që i kapërcyen me ndihmën e mentorëve nga Universiteti Metropolitan Tirana. Një nga momentet më të veçanta ishte workshop-i për artin e prezantimit, i drejtuar nga Dr. Daiu, që ndihmoi të rinjtë të zhvillojnë aftësi të forta komunikuese, një aset po aq i rëndësishëm sa vetë kodimi.

Në ditën e dytë, 23 projekte inovative u prezantuan. Të ndarë në tre raunde, ekipet paraqitën zgjidhjet e tyre teknologjike përpara një jurie me ekspertizë të gjerë në fushën e IT-së dhe inovacionit. Nuk ishte vetëm një garë teknike ishte një moment krenarie për nxënësit që, për herë të parë, i shihnin idetë e tyre të përktheheshin në diçka reale, funksionale dhe me vlerë.

Çdo prezantim shpaloste më shumë se një produkt: tregonte një rrugëtim me gabime, me mësime, me zgjidhje kreative. Ishte një proces që ndërtonte më shumë se projekte teknologjike ndërtonte karakter, vetëbesim dhe një ndjesi të fuqishme komuniteti.

UMT Hackathon 2025 ishte më shumë se një aktivitet dy-ditor: ishte një mesazh i qartë që talenti dhe pasioni rinor janë forca që mund të transformojnë realitetin. Ky format i ri i angazhimit të gjimnazistëve në teknologji, jo vetëm që nxit aftësitë STEM, por krijon dhe rrjete bashkëpunimi dhe mentorimi që mund të shoqërojnë të rinjtë në hapat e parë drejt një karriere në teknologji