Në përfundim të procesit të riakreditimit të plotë institucional, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë ka vendosur akreditimin me 5 vite për Universitetin Metropolitan Tirana.
Në vendimin e Bordit të Akreditimit të ASCAL theksohet se janë përmbushur plotësisht standardet e kërkuara për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri, duke vlerësuar pozitivisht të gjitha fushat përkatëse.
Rektori i Universitetit Metropolitan Tirana, Prof. Dr. Nikolla Civici u shpreh i kënaqur për rezultatin e akreditimit, fryt i një pune serioze në planin akademik dhe shkencor. “Përgëzoj stafin akademik dhe atë administrativ të Universitetit, që çdo ditë bëjnë një punë të shkëlqyer me kryefjalë cilësinë. Është akreditimi i dytë institucional që kalohet me vlerësim tejet pozitiv, pas atij të vitit 2017. Këto akreditime janë gur themeli në realizimin e vizionit tonë për të qenë lider në sferën akademike. Natyrisht uroj që vitet e ardhshme të përforcojmë arritjet e deritanishme, duke vendosur theksin te kërkimi shkencor dhe ndërkombëtarizimi, për t’u ofruar më shumë mundësi studentëve tanë dhe sistemit arsimor në vend”, shprehet rektori Civici.
Me tre fakultete dhe 24 programe studimi, akreditimi institucional është edhe një garanci e shtuar për programet e reja që ofrohen në UMT, si programi Bachelor në Inteligjencë Artificiale që do të licensohet së shpejti nga Ministria e Arsimit dhe Sporitt. Prej vitit 2022, UMT ofron gjithashtu studimet e doktoraturës në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe Sistemeve Inteligjente në bashkëpunim me universitetet prestigjioze franceze si “ESIEE Paris-Université Gustave Eiffel” dhe “Université Grenoble Alpes”, duke qenë universiteti i parë në Shqipëri që ofron këtë program në ciklin e tretë të studimeve.
Me mbi 1,000 studentë në këtë vit akademik, Universiteti Metropolitan Tirana konfirmohet si institucion lider i formimit të të rinjve në fushat e inxhinierisë, arkitekturës, shkenca kompjuterike dhe ekonomisë, në partneritet me mbi 40 universitete europiane në Francë, Spanjë, Poloni, Itali, Çeki, Letoni e më gjerë, ku studentët përfitojnë nga shkëmbimet Erasmus dhe marrëveshjet dypalëshe.