Universiteti Metropolitan Tirana krijon “Fondin e Ekselencës” për studentët e tij në nivel Master Shkencor.

Në përkrahje të politikës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) për të përmirësuar cilësinë akademike dhe shkencore, si dhe për të ndërkombëtarizuar veprimtarinë e universiteteve shqiptare, Universiteti Metropolitan Tirana (UMT) krijoi “Fondin e Ekselencës” për studentët e tij.

Përmes “Fondit të Ekselencës”, UMT ofron bursa studimi për studentët ekselentë të tij që zgjedhin të vazhdojnë studimet e nivelit master në një nga 20 universitetet e para  të rankuara  sipas  Times Higher Education, Shanghai dhe QS Ranking. Në listë përfshihen gjithashtu edhe disa universitete partnerë në Francë dhe Itali, të cilët bashkëpunojnë me UMT në projekte shkencore dhe pedagogjike.

Duke mbështetur studentët ekselentë të studiojnë në një nga universitetet më të njohura, UMT synon të përcjellë një mesazh pozitiv për universitetet shqiptare dhe potencialin e tyre akademik. Presidenti i UMT, Inxh. Arjan Çukaj, ka shprehur bindjen se kjo mbështetje e studentëve ekselentë shqiptarë do të ndihmojë në rritjen e imazhit të universiteteve shqiptare ndaj partnerëve të tyre ndërkombetarë dhe kompanive te huaja.

Fondi i Ekselences në Universitetin Metropolitan Tirana do të ofrojë çdo vit bursa studimi, me një vlerë prej 10,000 Euro për secilën bursë. Lista e plotë e universiteteve ku mund të aplikojnë studentët do të publikohet në fillim të çdo viti akademik, duke i ftuar ata të aplikojnë për vitin pasardhës. Procesi i aplikimit dhe përzgjedhjes do të jetë i përcaktuar në mënyrë transparente dhe perzgjedhja do te behet nga një komision ad-hoc, i përbërë nga përfaqësues të tre fakulteteve të UMT, nën drejtimin e Presidentit të universitetit.

Për më shumë informacion mbi aplikimin, lutemi shkarkoni dokumentin sqarues këtu.