Fondi i Ekselencës

Fondi i Ekselencës së Universitetit Metropolitan Tirana (UMT) ka si objektiv promovimin e ekselencës të sistemit arsimor universitar shqiptar nëpërmjet studentëve ekselentë. Studentë të diplomuar në një nga programet bachelor apo ata që kanë përfunduar vitin e parë në një nga programet e masterit shkencor të UMT. Edhe studentë që vazhdojnë studimet në vitin neë vazhdim në një nga 20 universitetet evropiane apo amerikane më të rankuara sipas Times Higher Education, Shanghai dhe QS Ranking. Në listë përfshihen gjithashtu edhe disa universitete partnerë në Francë dhe Itali, të cilët bashkëpunojnë me UMT në projekte shkencore dhe pedagogjike. Bursat e ekselencës do të akordohen nga një komision ad-hoc i drejtuar nga Presidenti i UMT duke marrë si bazë një sërë kriteresh të përcaktuara si më poshtë.

  • Kandidati duhet të ketë mbaruar Bachelorin ose vitin e parë të masterit në UMT në vitin akademik të aplikimit, me mesatare të përgjithshme 9.5-10. Gjithashtu ai duhet të jetë pranuar në universitetin evropian apo amerikan në vitin e ardhshëm akademik dhe në fushat e studimit të mbuluara nga UMT.
  • Prioritet në sistemin i rankimit të universiteteve i jepet atij të Times Higher Education, më pas atij të Shanghait dhe së fundmi atij të QS. Studentët e regjistruar në universitetet më të mirë-rankuara fitojnë bursën.
  • Aktualisht në universitetet partnere bëjnë pjesë Politecnico di Torino dhe Université Grenoble Alpes, të cilet janë në të njëjtin nivel prioriteti, por më të ulët se ato të sistemeve të rankimeve të mësipërme.
  • Një sistem rotacioni në akordimin e bursave për studentët e fakulteteve të ndryshme të UMT do të aplikohet vetëm në rastin kur rankimi i univesitetit në të cilin është pranuar studenti i UMT nuk është në Top-10. Në rastin kur universitetet ku janë pranuar studentët janë të rankuar në Top-10, niveli i rankimit përcakton dhe akordimin e bursës. Rotacioni do të aplikohet midis Politecnico di Torino dhe Université Grenoble Alpes në rastin kur ka studentë të regjistruar njëkohesisht në këto dy institucione të arsimit të lartë.
  • Numri maksimal i bursave të dhëna për çdo vit shkollor nga presidenca e UMT është dy. Ky numër mund të rritet nëse fakultetet gjejnë sponsorë privatë nga klubet e ndërmarjeve apo alumni i UMT. Për bursat e sponsorizuara nuk do të aplikohet sistem rotacioni.

Studenti aplikant për bursën e ekselencës dorëzon dosjen e aplikimit deri më 15 shtator të vitit të fillimit të studimeve pranë Sekretarisë Mësimore. 

Dokumentacioni i kërkuar është si më poshtë : 

  • Formulari i aplikimit 
  • Letra e pakushtëzuar e pranimit nga Universiteti që plotëson kriterin e renditjes sipas specifikimeve më sipër. 
  • Diploma dhe lista përfundimtare e notave të studimeve të ciklit të parë. 
  • Vërtetimi nga universiteti pritës mbi mbështetjen ose jo financiare nga ana e tij për kandidatin, si dhe masën e financimit. 
  • CV e kandidatit. 
  • Deklarata për autorizimin e UMT në marrjen e informacionit zyrtar nga Universiteti në të cilin kandidati është pranuar. 
  • Deklarata noteriale që të gjitha të dhënat e plotësuara në formularin e aplikimit janë të plota dhe të sakta. 
  • Në rast bashkëfinancimi ndërmjet UMT dhe organizatave, fondacioneve dhe institucioneve vendase ose të huaja, të paraqitet dokumentacioni që vërteton marrjen nga kandidati të bursës nga organizatat, fondacionet dhe institucionet vendase ose të huaja. 

*Për informacion më të plotë lidhur me kriteret, afatet dhe dokumentacionin për çdo vit akademik, referojuni vendimeve përkatëse të Senatit Akademik dhe Bordit të Administrimit në fillim të çdo viti akademik.