Search
Close this search box.
E-Shërbime

Fjala përshëndetëse e Rektorit të UMT për fillimin e vitit akademik 2023-2024

Të dashur studentë,

Të nderuar kolegë,

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në këtë vit të ri akademik në Universitetin Metropolitan Tirana!

Uroj që kjo ditë të jetë fillimi i një rrugëtimi të ri të frytshëm, gjatë të cilit do të kapërcejmë bashkarisht sfida të reja teksa rritemi dita-ditës.

Një urim të veçantë mirëseardhje dëshiroj t’u dërgoj studentëve të vitit të parë që kanë zgjedhur UMT si pikënisje të karrierës së tyre dhe t’i siguroj se ne do të japim maksimunin tonë që t’ju sigurojmë arsimim cilësor i cili do t’ju ndihmojë të bëheni profesionistë të kërkuar në tregun e punës dhe qytetarë të ndërgjegjëshëm. Për këtë qëllim, jemi përpjekur të ndërtojmë një mjedis akademik produktiv dhe novator që inkurajon zhvillimin e dijes dhe kreativitetin duke vënë në zbatim projekte dhe nisma që tregojnë potencialin tonë si një universitet inxhinierik që përqafon të renë dhe zhvillimin.

UMT është një universitet i fokusuar në një zonë të ngushtë të studimeve akademike, i cili duke qenë konseguent në këto fusha është njëkohësisht në ndryshim të vazhdueshëm si në përmirësimin e programeve të studimit me zhvillimet e reja teorike dhe teknologjike ashtu edhe në hapjen e programeve të reja në ato profile që pranohen në treg si specialitete të reja.

Në këtë kuadër, një nga projektet më të rëndësishme që kemi zhvilluar janë dy programet e studimit në Inteligjencë Artificiale. Jam tejet i lumtur që kemi sot të pranishëm kohortën e parë të studentëve në programin bachelor në Inteligjencë Artificiale të cilët do të jenë të parët në Shqipëri që do të diplomohen në këtë fushë. Gjithashtu, me ne sot janë doktorantët e programit të doktoraturës në Inteligjencë Artificiale dhe Sisteme Inteligjente të cilët po kryejnë punë të çmuara kërkimore se si Inteligjenca Artificiale mund të zbatohet në Shqipëri në fusha si mjekësia, energjitika dhe robotika.

Dëshiroj tju informoj se stafet akademike të fakulteteve mbështetur në eksperiencën e universiteteve partnere janë duke përgatitur propozimet për të hapur vitin e ardhshëm programe master në Informatikë Ekonomike dhe në Inteligjencë Artificiale. Investimi i bërë në këto programe është një dëshmi e përpjekjeve tona për të qenë në krye të zhvillimeve teknologjike.

Një tjetër risi e UMT në këtë vit akademik është ngritja e Qendrës së Inovacionit e cila hap dyert në këtë godinë të re. Qendra e Inovacionit është hapësirë që inkurajon kreativitetin dhe zhvillimin e projekteve të reja. Këtu, ju studentë do të keni mundësi të zbatoni ide novatore që kanë potencialin për të ndikuar në shoqërinë tonë dhe për të ndryshuar botën për më mirë.

Universiteti Metropolitan Tirana prej vitesh tashmë financon studimet e studentëve ekselentë dhe jam shumë i kënaqur që numri i ekselentëve që na zgjedhin është gjithnjë në rritje. Me dëshirën e mirë për të vijuar mbështetjen, kemi çelur Fondin e Ekselencës si një përkushtim tjetër për të siguruar cilësinë. Ky fond ofron mundësi të mëdha për studentët më të mirë, duke i ndihmuar ata të kryejnë një vit të programit master në një prej universiteteve më të vlerësuara në Europë ose SHBA.

Ndërkombëtarizimi është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ju që të përfitoni një eksperiencë unike në universitetet më prestigjioze europiane. Çdo vit dhjetëra studentë të UMT udhëtojnë drejt Spanjës, Italisë, Polonisë, Francës, Rumanisë, Bullgarisë, Çekisë e Letonisë për të kryer një apo dy semestra akademikë dhe kjo është arritur falë punës ndër vite të UMT dhe ndërtimit të një reputacioni ndërkombëtar. Ftesa ime sot është të përfitoni nga programet Erasmus+ dhe të zbuloni botën me mbështetjen tonë të përhershme.

Krahas këtyre, duhet të theksoj dhe tju siguroj se UMT dhe stafi akademik do të ofrojnë të njëjtin standard akademik dhe mbështetje për të gjithë studentët në mënyrë që ata të arrijnë me meritë standartet e kërkuara. Pedagogët në secilën lëndë kanë planifikuar orë konsultimesh dhe janë të gatshëm tju ndihmojnë për çdo paqartësi që mund të keni. Nga ana tjetër, pranë çdo kursi është caktuar një pedagog në rolin e këshilltarit akademik me të cilin mund të diskutoni çdo nevojë që keni lidhur me jetën tuaj në universitet. Ju bëj thirrje studentëve që në rast nevojë të kërkojnë ndihmë si nga stafi akademik ashtu dhe nga shokët e tyre. Mbetet në deshirën dhe këmbënguljen tuaj që të shfrytezoni sa më mirë këto mundësi.

Këto janë vetëm disa nga projektet dhe nismat e marra për këtë vit të ri akademik. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë rrugën tonë drejt shkëlqimit akademik dhe inovacionit. Kjo është një sfidë që ne e marrim me  entuziazëm dhe me bindjen se bashkëpunimi dhe përkushtimi ynë do të sjellë rezultatet e dëshiruara në dobi të të gjithëve.

Ju falenderoj për vëmendjen dhe ju uroj një vit të ri akademik të suksesshëm!

Prof. Dr. Nikolla Civici

Rektor