Më të mirët në inovacion e teknologji, StartUp City shpall fituesit e edicionit të gjashtë

Më të mirët në inovacion e teknologji, StartUp City shpall fituesit e edicionit të gjashtë

U përmbyll me sukses edicioni i 6 i StartUp City, festivali i ideve që është kthyer tashmë në traditë për promovimin dhe mbështetjen e të rinjve me shpirt sipërmarrës.


Gjatë natës gala, u prezantuan 14 ide biznesi, duke krijuar një atmosferë emocionuese për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët përfshinin maturantë dhe studentë me ide të veçanta biznesi nga robotika, tek automatizimi bujqësor, emergjencat civile etj.


I organizuar nga Universiteti Metropolitan Tirana, Metropolitan Incubator dhe Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës me mbështetjen e veçantë të Bashkisë Tiranë, në Piramidën e Tiranës u përmbyll një cikël tre mujor i këtij edicioni të StartUp City, që nisi me shumë aplikime nga të rinjtë, seanca bootcamp dhe trajnimesh për t’u kurorëzuar në shpalljen e fituesve.


Triumfues të këtij edicioni ishin Briana Sheri, Kristian Zyka, Franko Nebiu dhe Brixhet Bali me projektin e tyre APM, dhe çmimi u dha nga Presidenti i UMT, Ing. Arjan Çukaj i cili vlerësoi maksimalisht idetë e të rinje dhe shpirtin e tyre sipërmarrës dhe inovativ.


Ky projekt përfshin një makinë bujqësore që kryen tre procese: kultivim, hedhje të farave të vogla në tokën e kultivuar dhe sheshimin e tokës kur makina ecën përpara. Është një prototip i krijuar nga nxënësit e shkollës së mesme duke përdorur Arduino, relays, motorë të vegjël AC dhe servot DC.


Vendi i dytë u fitua nga Geart Ferhati me projektin SUAPR, i cili përfshin një platformë edukimi që synon të fuqizojë studentët e shkollave të mesme në Shqipëri dhe Kosovë duke ofruar ndihmë të bazuar në inteligjencën artificiale për zgjidhjen e ushtrimeve, çmim që u dorëzua nga Z. Arjan Ymeri.


Dhe vendi i tretë u fitua nga Henri Hoxha, Tedi Mihali, Julian Shabani, Redi Deva dhe Gerald Hysi me projektin Modular ATV, çmim i akorduar nga znj. Edona Bilali, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Kjo ide përfshin krijimin e një mjeti multifunksional që mund të përdoret nga autoritetet për të kryer misione kërkimi dhe shpëtimit në mjedise me risk të lartë si ndërtesat në flakë, për të vepruar si makinë zjarrfikëse e vogël për të ndihmuar zjarrfikësit në operacionet e tyre dhe për të kryer operacione speciale në ambiente ushtarake.


Në këtë natë, përshëndeti me fjalën e saj Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Znj. Jonida Halili, teksa të gjitha idetë u prezantuan përpara jurisë së përbërë nga përfaqësues të politikës, biznesit, dhe akademisë. Znj. Edona Bilali, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë; Z. Arjan Ymeri, Drejtor i StartUp Agency Albania; Z. Tom Kallanxhi, CEO- Big Media Expert; Z. Emir Dzanic, StartUp Expert dhe Znj. Ardiola Hristic, Menaxhere, Koordinatore Rajonale për Konsulencën Lokale në Ballkanin Perëndimor.


Nata e shënjuar me këtë event u kujtua për momentet emocionuese dhe përjetimet e shumta të pjesëmarrësve, të cilët shpërblimin më të lartë, një mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e tyre të biznesit, e morën gjatë natës finale.
Gjithashtu, #UMT dhe Qendra MetroResearch vë në zbatim misionin e saj nëpërmjet përfshirjes së drejtpërdrejtë me projekte në fushën e edukimit, sipërmarrjes dhe inovacionit, menaxhimit social dhe lidershipit dhe teknologjisë së informacionit ku ka themeluar inkubatorin e parë universitar të biznesit: Metropolitan Incubator.


Metropolitan Incubator është inkubatori i parë “On Campus” në rrethin e universiteteve shqiptare ka në fokus zhvillimin e ideve të paraqitura, duke ofruar hapësirën dhe mbështetjen e nevojshme për të kultivuar dhe rritur potencialin e tyre në tregun e biznesit.
Përveç çmimeve kryesore, u ndanë edhe disa çmime të tjera për të vlerësuar angazhimin dhe krijimtarinë e të rinjve.

“Best social idea” – E fitoi projekti AIMHI ku pjese e ekipit jane Alkid Shuli, Simeon Flamuraj, Dejona Dino, Saea Trenova, Luei Halili. Cmimin e ndau Esmeralda Doku, koodinatore e StartUp City 6.

“Best Innovative Idea” – Fiton Ilvi Boric me projektin CHATTY, cmim i cili u nda nga Z. Tom Kallanxhi, CEO- Big Media Expert.

“Best Women Entrepreneur” – Fiton Aleksandra Pano me projektin ASN, ku çmimin e ndau Znj. Ardiola Hristic, Koordinatore Rajonale për Konsulencën Lokale në Ballkanin Perëndimor, BERZH.

“Best Pitch Award” – U fitua nga grupi Joana Teneqexhi, Ajet Kasaj, Heba Sula dhe Jonian Bicaku me projektin GIGIFY. Çmimi u nda nga Z. Emir Dzanic, ekspert në StartUp City.

Edicioni i gjashtë i StartUp City u mbështet nga Bashkia Tiranë, Fondacioni Mediatik Dritan Hoxha, Eu4Innovation, Piramida e Tiranës, Eri Business Coach, Concept Marketing, Narom, Laconics dhe Star7.