Në një atmosferë dinamike dhe plot energji rinore, në ambientet moderne të Inno Hup të Protik pranë Piramidës, u zhvillua finalja e edicionit të 7-të të Start Up City, një nga aktivitetet më të rëndësishme në vend për inovacionin dhe sipërmarrjen rinore. Kjo iniciativë unike, organizuar prej shtatë vitesh nga Universiteti Metropolitan Tirana, ka për qëllim të zbulojë, mbështesë dhe fuqizojë idetë e gjimnazistëve dhe studentëve që kanë potencialin të kthehen në biznese të vërteta.
Start Up City është kthyer tashmë në një platformë zhvillimi dhe ndërgjegjësimi, që nxit mendimin kritik, zgjidhjen kreative të problemeve dhe nxitjen e sipërmarrjes tek të rinjtë. Gjatë këtyre viteve, me dhjetëra projekte janë formësuar në produkte konkrete, duke krijuar një ekosistem të gjallë dhe të qëndrueshëm start-up-esh në Shqipëri.
Finalja e këtij edicioni mblodhi së bashku 15 ekipe të përzgjedhura, të cilat prezantuan idetë e tyre përpara një jurie prestigjioze dhe një audience të gjerë. Mes të ftuarve nderi ishin edhe Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, znj. Delina Ibrahimaj, si dhe Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana, z. Arjan Çukaj.
“Start Up City është shumë më tepër se një konkurs. Është një dritare shprese dhe mundësie për të rinjtë shqiptarë që besojnë se idetë e tyre vlejnë. Sot pamë një brez që nuk ka frikë të ëndërrojë dhe të ndërtojë.” – u shpreh znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Ajo theksoi se ky aktivitet nuk është vetëm një ngjarje vjetore, por një levë zhvillimi që fuqizon të rinjtë për të kaluar nga ideja tek zbatimi. “Të rinjtë që morën pjesë sot nuk janë thjesht pjesëmarrës në një konkurs, por janë krijues të zgjidhjeve që vendi ynë ka nevojë. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte guximi i tyre për të menduar ndryshe, për të marrë përgjegjësi dhe për të ndërtuar me duart e tyre një të ardhme më të mirë për veten, për komunitetin dhe për Shqipërinë.”
“Ne në Universitetin Metropolitan Tirana besojmë thellësisht në fuqinë e dijes dhe inovacionit. Ky event është një dëshmi konkrete e potencialit transformues që kanë të rinjtë tanë.” – deklaroi z. Arjan Çukaj, President i Universitetit Metropolitan Tirana.
Ai nënvizoi se UMT nuk synon të ofrojë vetëm dije akademike, por të jetë një katalizator për ndryshim dhe zhvillim shoqëror. “Start Up City nuk është vetëm një platformë për ide biznesi, por është një mjedis ku rinia zhvillon vetëbesim, lidership dhe ndjeshmëri ndaj sfidave të kohës. Këtu, të rinjtë mësojnë të bashkëpunojnë, të mendojnë kritikisht dhe të sjellin ide që kanë ndikim real në shoqëri. Është kënaqësi dhe përgjegjësi për ne si institucion të jemi pjesë e këtij rrugëtimi transformues.”
Juria e këtij edicioni, e përbërë nga profesionistë të njohur në fushën e teknologjisë, biznesit dhe ekosistemit start-up, kishte për detyrë sfiduese përzgjedhjen e projekteve më premtuese. Në përbërje të saj ishin:
1. Ms. Aldo Diku – DIAVA
2. Mr. Fulvio Lavernaro – BINP
3. Ms. Fabiola Duro – Themeluese e INNVEST
4. Mr. Ersen Dedja – Themelues i ARCED
5. Mr. Emir Dzanic – Ekspert për Start Up – UMT
6. Mr. Valer Pinderi – Kryetar i Bordit Ekzekutiv të Albanian E-Commerce
7. Mr. Ravik Mima – CEO i Keiretsu Forum Southeast Europe.
Pas një gare të fortë dhe plot emocion, u shpallën tre fituesit kryesorë të Start Up City 7:
Vendi i Parë: NineHana
Çmimi: Programi i Akselerimit 2-mujor Boosting Innovation PoliBa (BINP) + €1,000 NineHana është një platformë e dedikuar për nënat në Shqipëri, që ofron mbështetje të gjithanshme gjatë shtatzënisë dhe periudhës së hershme të mëmësisë. Me përmbajtje në shqip, të verifikuar nga profesionistë, aplikacioni ofron kujtesa për vizitat tek mjeku, këshilla për kujdesin ndaj bebit, mbështetje emocionale dhe një komunitet të dedikuar. Ideja u vlerësua për adresimin e një nevoje reale në shoqëri dhe potencialin për ndikim të gjerë social.
Vendi i Dytë: NoctiVox
Çmimi: €1,000 + Mbështetje për Inkubim nga METINC NoctiVox është një platformë që unifikon mjetet e sigurisë kibernetike në një ndërfaqe të vetme dhe të personalizueshme. Përdoruesit, si individë ashtu edhe organizata, mund të menaxhojnë të gjitha funksionet kritike të sigurisë në mënyrë të thjeshtë, me pagesë sipas përdorimit ose paketa enterprise. Juria vlerësoi lart qasjen modulare, fleksibilitetin dhe aplikimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale në një treg që arrin vlerën 240 miliardë dollarë.
Vendi i Tretë: FinCity_MoneyRush
Çmimi: €500 + Mbështetje për Inkubim nga METINC MoneyRush është një aplikacion edTech gamifikues që synon të mësojë të rinjtë mbi financat personale përmes një eksperience argëtuese dhe interaktive. Lojtarët përballen me situata reale, si menaxhimi i buxhetit, kursimi, investimi dhe planifikimi afatgjatë, duke ndërtuar njohuri të qëndrueshme. Me karakteristika si këshilltari virtual me AI, përmbajtje të personalizuar dhe modele të ndryshme fitimi, MoneyRush u vlerësua si një mjet inovativ për edukimin financiar të brezit të ri.
Përveç tre vendeve të para, juria ndau edhe çmime speciale, të cilat vlerësuan aspekte të veçanta të prezantimeve dhe përfshirjes:
· Best Pitch Award – për prezantimin më të fuqishëm dhe bindës para jurisë
· Best Woman Entrepreneur Award – për sipërmarrësen më të spikatur femër në kompeticion
· Best Teen Award – për pjesëmarrësin më të ri me ide premtuese
· Innovation Hub Award – për projektin me potencial të lartë për zhvillim në një mjedis bashkëkohor inkubimi.
Universiteti Metropolitan Tirana shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë mbështetësve dhe partnerëve që kontribuan në realizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm për zhvillimin e sipërmarrjes rinore. Falë përkushtimit dhe bashkëpunimit të tyre, kjo iniciativë mori jetë dhe u shndërrua në një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të të rinjve me ide inovative.
Ndër partnerët e çmuar që mbështetën këtë aktivitet janë Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Tiranës, DIAVA, BINP, INNVEST, Agjencia e Start Up-eve në Shqipëri, ARCED, Shoqata e E-Commerce, Keiretsu Forum për Evropën Juglindore, si dhe Protik. Ky bashkëpunim i frytshëm mes institucioneve të arsimit, sektorit privat dhe organizatave të specializuara është një themel kyç për ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të inovacionit.
Përmes këtij rrjeti bashkëpunimi, forcohet zinxhiri i vlerës që mbështet dhe nxit zhvillimin e ideve të të rinjve në Shqipëri, duke krijuar një mjedis të favorshëm për rritjen dhe realizimin e potencialit të tyre në fushën e sipërmarrjes. Universiteti Metropolitan Tirana është krenar të jetë pjesë e këtij procesi transformues, duke kontribuar në ndërtimin e së ardhmes së qëndrueshme dhe inovative të vendit.
Ky edicion konfirmoi edhe një herë se Shqipëria ka të rinj të jashtëzakonshëm, të aftë të sfidojnë të ardhmen dhe të sjellin zgjidhje kreative për problemet e së tashmes. Universiteti Metropolitan Tirana ritheksoi angazhimin e tij për të qenë gjithmonë pranë rinisë, duke mbështetur jo vetëm përgatitjen akademike, por edhe nxitjen e frymës sipërmarrëse dhe inovative.
Start Up City 7 nuk ishte thjesht një garë për ide, ishte një platformë që dëshmoi se kur të rinjtë mbështeten dhe u jepet hapësira e duhur, ata mund të krijojnë të ardhmen që duan. Të rinjtë fituan më shumë se çmime, fituan përvojë, rrjetëzim dhe mbi të gjitha, besim në vetvete.



