“Faktorët demotivues në mësimdhënien e matematikës: Një studim mbi mësuesit shqiptarë”

Kërkimi shkencor në UMT

Prof. Asoc. Dr. Lekë Pepkolaj në bashkëpunim me kolegë nga Universiteti i Saragozës dhe Universiteti Ahmad Dahlan vjen me artikullin: “Faktorët demotivues në mësimdhënien e matematikës: Një studim mbi mësuesit shqiptarë”. Një temë me një rendësi të madhe për realitetin e vendit tonë.

Shumë kërkime shkencore kanë nxjerrë në pah ekzistencën e mësuesve të demotivuar në shkolla. Në tërësi ka faktorë klasik demotivues, por në rastin e Shqipërisë ka faktorë të veçantë dhe shtrirja e faktorëve të ndryshëm demotivues është e lartë. Artikulli analizon disa nga faktorët që ndikojnë në demotivimin e mësuesve të matematikës dhe në vlerësimin e shkallës së demotivimit në lidhje me mjedisin e punës, autonominë e mësimdhënies, motivet e jashtme dhe nxënësit.

Studimi ka kryer një analizë statistikore për të evidentuar nëse ka dallime domethënëse në lidhje me faktorët që shpjegojnë demotivimin sipas karakteristikave që përshkruajnë mësuesin: a) gjinia, b) mosha, c) kualifikimi, d) mosha e nxënësve dhe e) lloji i shkollës.

Nga rezultatet e arritura mund të konstatohet se faktorët që gjenerojnë demotivimin më të madh janë tekstet shkollore, politikat arsimore dhe korrupsioni, aspektet që lidhen me kurrikulën dhe kostot që duhet të përballojnë. Për më tepër, statusi i shkollës, ndryshimet e kurrikulës, meritokracia, kostot materiale, autonomia dhe kërkimi shkencor shpjegojnë ndjeshëm demotivimin e mësuesve të sektorit publik.

Në fund artikulli thekson nevojën për të kërkuar përgjigje të strukturuara që synojnë rregullimin e karrierës së mësuesve të matematikës në Shqipëri. Gjithashtu, studimi tregon nevojën për të adresuar demotivimin e mësuesve pasi ka implikime të forta për cilësinë e performancës së punës. Një aspekt tjetër që vlen të nënvizohet është demotivimi në rritje i mësuesve në varësi të lëndës që ata japin, ku përveç ngarkesës dhe sfidës intelektuale, hasen probleme jokonjitive, metakonjitive dhe vetëvlerësimi i ulët.

Artikulli është publikuar në revistën Infinity Journal e indeksuar në Scopus me index Q2. Punimin e plotë e gjeni në linkun: http://e-journal.stkipsiliwangi.ac.id/index.php/infinity/article/view/4125