Ekosistemet sipërmarrëse, eventi shkencor në bashkëpunim me University of Tennessee at Chattanooga

“Tiparet e ekosistemit dhe të inovacionit të sipërmarrjes si kusht për zhvillim” ishte tema e eventit shkencor të organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë në UMT në bashkëpunim me University of Tennessee at Chattanooga në SHBA. Eventi u zhvillua online në platformën “Zoom” dhe u ndoq nga mbi 80 pjesëmarrës shqiptarë dhe amerikanë, studiues, akademikë, profesionistë të fushës së sipërmarrjes dhe studentë të programeve master.

Të ftuar specialë në këtë event ishin profesorët amerikanë Philip Roundy dhe Thomas Lyons, ndërsa moderimi u krye nga profesor Arben Asllani, pjesë e University of Tennessee at Chattanooga.

Në fjalën hapëse, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë Prof. Dr. Ahmet Ceni e cilësoi eventin si një mikro-konferencë, e cila i shërben mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. “Kjo minikonferencë organizohet në kuadër të strategjisë që ka Fakulteti i Ekonomisë në UMT për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, duke ndihmuar studentët për të marrë njohuritë bashkëkohore, për të qenë në të njëjtin nivel njohurish si bashkëmoshatarët e tyre në SHBA dhe në Europë. Falenderoj veçanërisht profesor Arben Asllanin, një talent me origjinë nga Shqipëria, dhe profesorët Philip Roundy dhe Thomas Lyons për kontributin shumë të çmuar”, u shpreh dekani i Fakultetit të Ekonomisë.

Fillimisht Dr. Roland Subashi dhe Dr. Almarin Frakulli nga Fakulteti i Ekonomisë në UMT bënë një prezantim të ekosistemit të sipërmarrjes në vendin tonë, duke theksuar edhe karakterin inovativ që Universiteti Metropolitan Tirana ka induktuar përgjatë viteve në fushën e arsimit në lartë në Shqipëri. Kjo është arritur jo vetëm nëpërmjet kurrikulave në programet e studimit, por mbi të gjitha përmes krijimit të Metropolitan Incubator dhe së fundi të Metropolitan Innovation Center, si një hapësirë dedikuar për kërkimin shkencor.

Prof. Asoc. Dr. Philip Roundy, akademik me një eksperiencë të gjatë në fushën e sipërmarrjes në SHBA, ligjëroi mbi ekosistemet sipërmarrëse, duke u fokusuar te mënyra se si sistemet e ndërlidhura të aktorëve dhe të forcave mbështësin sipërmarrjen në disa zona gjeografike si për shembull Silicon Valley. Krijimi i ekosistemeve të sipërmarrjes është një nga temat me interes të shtuar, duke marrë vëmendje të veçantë si nga qeveritë dhe politikbërësit, por edhe nga organizatat e zhvillimit dhe vetë sipërmarrësit. Evidencat empirike tregojnë se shtimi i ekosistemeve të sipërmarrjes shërbejnë si motorë për rritjen ekonomike dhe rigjallërimin e komuniteteve. Në ligjërimin e tij, Prof. Asoc. Dr.Roundy shpjegoi në detaje konceptin e ekosistemit të sipërmarrjes, duke përshkruar historikun intelektual dhe arsyet pse po merr shumë vëmendje akademike dhe praktike.

Ndërsa për sfidat e e hartimit, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së një ekosistemi sipërmarrës ligjëroi Prof. Dr. Thomas Lyons, profesor i marketingut dhe sipërmarrjes në Gary W. Rollins College of Business University of Tennessee at Chattanooga. “Një ndër sfidat është si ta arrijmë këtë në një mënyrë jo të ngurtë, me qëllim për të mos penguar krijimtarinë dhe inovacionin. Nga ana tjetër, sipërmarrësit duhet të kuptojnë se të qenit pjesë aktive e një ekosistemi të tillë është shumë e dobishme për ta”, tha Prof. Dr. Lyons. Në prezantimin e tij, profesor Lyons dha një model konceptual të detajuar dhe inovativ mbi aftësitë sipërmarrëse si edhe mënyrën e përdorimit të këtyre aftësive dhe modeleve në ndërtimin e aftësive të nevojshme. Prezantimi i tij fokusohej drejtpërdrejtë në modelet praktike të ndërtimit të ekosistemeve të sipërmarrjes dhe të edukimit sipërmarrës, duke nxitur pyetje dhe diskutime nga pjesëmarrësit e interesuar në këtë temë.

Ekosistemet sipërmarrëse, eventi shkencor në bashkëpunim me University of Tennessee at Chattanooga
Ekosistemet sipërmarrëse, eventi shkencor në bashkëpunim me University of Tennessee at Chattanooga
Çaste nga prezantimi i Prof. Dr. Thomas Lyons

Profesor Arben Asllani falenderoi pjesëmarrësit dhe Universitetin Metropolitan Tirana për këtë event. “Shpresoj të jemi në gjendje që shumë shpejt të bëjmë konferenca të tjera, kur pandemia të ketë mbaruar dhe të takohemi përballë. Ne do të jemi të lumtur të diskutojmë ide për bashkëpunime të tjera në projekte, në mësimdhënie dhe në nivele universitare për të krijuar një ekosistem ndërkombëtar”, tha Prof. Dr. Arben Asllani, i cili është profesor i Data Analytics në University of Tennessee at Chattanooga në SHBA, ndërsa më herët studimet doktorale i ka kryer në University of Nebraska ku ka qenë lektor i lëndëve si Dabasë ose Data Analytics. Ai është autor i rreth 80 artikujve shkencorë dhe 2 librave studimorë.

Aktivitete të tilla janë pjesë e strategjisë së ndërkombëtarizimit të Universitetit Metropolitan Tirana, si në procesin e mësimdhënies dhe krijimit të partneriteteve me universitetet e huaja, ashtu edhe në fushën e kërkimit shkencor.