UMT prezanton për studentët programin “Dual Training”, punësim gjatë studimeve

Punësimi i paguar gjatë studimeve, sipas një platforme të rregulluar dhe në bashkëpunim me sipërmarrjet, siguron qëndrueshmërinë e burimeve njerëzore duke i bërë të rinjtë pjesë të tregut të punës në Shqipëri.

Universiteti Metropolitan Tirana ka prezantuar programin “Dual Training”, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe mbi 60 biznese, një nismë unike deri më tani në sektorin e arsimit të lartë shqiptar duke ofruar punësim dhe studim brenda periudhës së studimeve. Programi ofron avantazhe për kompanitë, universitetin dhe ekonominë kombëtare pasi rregullon kërkesën dhe ofertën në tregun e punës dhe nxit punësimin brenda vendit.

Prezantimi u bë gjatë panairit të Punës dhe Aftësive dhe forumit tre ditor “Klima e Biznesit, produktiviteti dhe kapitali njerëzor” nga Zv/Rektori i UMT Dr. Nick Frydas, njëkohësisht ideator i këtij projekti.

“Është një praktikë që ndiqet në vendet perëndimore, përfshirë Gjermaninë dhe Francën dhe ne e kemi optimizuar në mënyrën më të mirë për kontekstin shqiptar. UMT ofron programet më të kërkuara nga tregu i punës, nga ana tjetër janë kompanitë që nuk plotësojnë dot nevojat e tyre për rekrutime cilësore. E shohim këtu detyrën tonë si universitet të bëjmë ndërlidhjen e palëve. “Dual Training” është fryt i një pune shumë të gjatë dhe në konsultim të vazhdueshëm me sipërmarrjet. Kemi tre skenare se si kombinohen në mënyrë harmonike ndjekja e studimeve dhe punësimi i paguar, pa cënuar aspak procesin mësimor dhe duke i lënë mundësi studentit të zhvillohet profesionalisht”, tha në prezantimin e tij Dr. Frydas.

Arjan Çukaj, Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana u shpreh se kjo nismë vjen natyralisht në UMT, një universitet i cili që veprimtarinë e tij e bazon tek inovacioni. “Jemi vazhdimisht në sfidë me vetveten, dhe pas krijimit të Metropolitan Incubator, si inkubatori i parë i biznesit brenda një universiteti, dhe Qendrën së Inovacionit Metropolitan, po japim kontributin tonë në zgjidhjen e një prej problemeve më të mëdha që ka tregu dhe që lidhet me burimet e kualifikuara njerëzore. Studentët punojnë, por shpesh herë nuk punojnë në profesionet e tyre. Ne duam t’i japim studentëve jo një thjesht një punë, por një karrierë dinjitoze, dhe t’u ofrojmë bizneseve punonjës të kualifikuar. Në këtë mënyrë krijojmë trinomin “universitet-studentë-sipërmarrje”. Duke i bërë të rinjtë pjesë e tregut të punës që në auditorë, sigurohemi që ata ta ndjejnë veten pjesë integrale të shoqërisë dhe të qëndrojnë në Shqipëri, ta shohin avancimin e tyre në karrierë këtu dhe të mos largohen. Prandaj ky program është në linjë edhe me prioritetet e Qeverisë Shqiptare, dhe pikërisht për këtë arsye prezantohet në këtë event të organizuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomië dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit”, u shpreh Çukaj.

Rektori i UMT, Prof. Dr. Nikolla Civici u shpreh se cilësia e UMT, e konfirmuar sërish me akreditimin maksimal institucional, është garanci për suksesin e këtij programi. “Ne si Universitet Metropolitan kemi qenë gjithmonë në pararojë të trendeve globale dhe të nevojave të tregut. I tillë është edhe vetë krijimi i universitetit në një drejtim të qartë shkencor, në profilet inxhinierike, të shkencave kompjuterike, të ekonomisë dhe së fundi të inteligjencës artificiale.” 

Aktualisht, Universiteti Metropolitan Tirana po firmos memorandumet e bashkëpunimit me një sërë biznesesh në vend për të garantuar punësimin e studentëve të të gjitha programeve duke filluar nga viti akademik 2023-2024.