Doktoraturë në Inteligjencë Artificiale në Mjekësi

Anxhelo Shehu fitoi bursën e doktoraturës mbështetur nga Universiteti Metropolitan Tirana. Kërkimi shkencor do të udhëhiqet nga Prof. Dr. Ligor Nikolla (UMT) dhe Mjeke Onkologe Dr. Kleidia Mati (Spitali Salus) për palën shqiptare dhe nga Prof. René Natowicz dhe Prof. Dr. Arben Çela (ESIEE Paris-Université Gustave Eiffel) për palën franceze.

Kërkimi i tij shkencor do të zhvillohet në fushën e Inteligjencës Artificiale (IA) në mjekesi dhe më saktesisht në zhvillimin dhe vërtetimin e algoritmeve mbi IA për zbulimin e hershëm të Kancerit të Gjirit. Këtu, duke patur parasysh impaktin që do të kishin zhvillimet e algoritmeve të tilla në përmirësimin e ndjeshëm të sistemit mjekësor sidomos për vendet në zhvillim. Këto janë fusha me interes të lartë, drejt të cilave janë orientuar qendrat kërkimore në të gjithe botën.

Anxhelo Shehu, pasi kreu studimet bachelor dhe master në Inxhinieri Matematike i është bashkuar Universitetit Metropolitan Tirana si staf me kohë të plotë.

Përmes studimeve doktorale, UMT synon të hedhë hapa të rëndësishëm drejt krijimit të një eko-sistemi të sistemeve inteligjente në vend. Universiteti Metropolitan Tirana do të mbështesë kryerjen e studimeve të doktoraturës, jo vetëm me tarifë regjistrimi zero, por me ndërtimin e një metodologjie cilësore për rritjen e kapaciteteve, zhvillimin e profesoriatit dhe ndërkombëtarizimin e kërkimit shkencor.