DIVA - UNIVESITETI METROPOLITAN TIRANA

DIVA HAP NJË KAPITULL TË RI PËR SHQIPËRINË NË PROGRAMIN E EVROPËS DIGJITALE

Shqipëria ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe integrimit evropian me nisjen zyrtare të “Digital Valley Albania” (DiVA), qendra e parë evropiane për inovacionin digjital (EDIH) në vend. Ky projekt, i bashkë-financuar nga Komisioni Evropian, synon të sjellë transformimin digjital për sektorët strategjikë të turizmit dhe bujqësisë, duke e pozicionuar Shqipërinë si një lojtar kyç në ekosistemin inovativ rajonal.

Eventi i hapjes u mbajt në ambientet e Universitetit Metropolitan Tirana dhe mblodhi një spektër të gjerë aktorësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Në event morën pjesë përfaqësues nga Komisioni Evropian, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, GIZ & EU4InnovationMinistria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Startup Albania Agency, Agjencia Kombëtare e Turizmit, si dhe përfaqësues të biznesit nga sektorët e turizmit dhe bujqësisë.

Ceremonia nisi me fjalime përshëndetëse nga personalitete kyçe, duke përfshirë Prof. Dr. Nikolla Civici, Rektor i UMT-së, z. Andrea Ferrero nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, znj. Irena Malolli nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Ilva Gjuzi, Zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, z. Ervin Hajdaraga, Drejtor i Qendrës së Transferimit të Teknologjisë pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe z. Michael Oos, Menaxher Projekti në EU4Innovation.

Përmes një lidhjeje virtuale, edhe Z. Livio Rubino, Oficer Projekti pranë BE-së, theksoi rëndësinë strategjike të DiVA EDIH në zhvillimin e sektorëve kyç në Shqipëri. Ai theksoi se ky projekt do të ndihmojë bizneset e vogla dhe të mesme të fitojnë akses në teknologji të avancuara dhe të fuqizohen përmes trajnimeve dhe lehtësirave të ndryshme që ofron DiVA.

Angazhimi i Konsorciumit për të Garantuar Suksesin

Në prezantimin e tij, Dr. Igli Hakrama nga Drejtori i Inovacionit në UMT si dhe Koordinator i DiVA-s, ndau objektivat e projektit, fazat kryesore dhe përfitimet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME-të), duke i ftuar ato të bëhen pjesë e kësaj nisme.

DiVA është një nismë e realizuar nga një konsorcium prestigjioz, ku Universiteti Metropolitan Tirana (UMT) luan një rol kyç si një nga institucionet udhëheqëse. Si një qendër akademike e përkushtuar ndaj inovacionit dhe zhvillimit teknologjik, UMT kontribuon me ekspertizën e tij në edukim, kërkim shkencor dhe transferim teknologjie, duke ndihmuar në ndërtimin e një ekosistemi të qëndrueshëm për zhvillimin digjital në Shqipëri.

Së bashku me partnerët e tjerë të konsorciumit, përfshirë ALBICT, DigitSapiens, Cyber Morfosis, ABSL dhe ConsciESG, UMT synon të garantojë suksesin e këtij projekti duke ofruar mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, avancimin e aftësive digjitale dhe implementimin e teknologjive të reja në sektorët kyç të ekonomisë shqiptare.

Eventi u mbyll me angazhimin e partnerëve të konsorciumit, përfshirë z. Kushtrim Shala nga ALBICT, z. Fation Losha nga DigitSapiens, znj. Edlira Martiri nga Cyber Morfosis, znj. Elona Poga nga ABSL dhe znj. Briseida Gjoza nga ConsciESG, të cilët shprehën përkushtimin e tyre për të siguruar qëndrueshmërinë dhe suksesin e këtij projekti.

Një Hap i Rëndësishëm për Digjitalizimin e Shqipërisë

Transformimi digjital është një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e çdo vendi në epokën moderne. Shqipëria po hyn në një fazë të re të avancimit teknologjik përmes DiVA, e cila synon të ofrojë mbështetje të specializuar për bizneset dhe institucionet publike që duan të adoptojnë teknologji të reja dhe të përmirësojnë efikasitetin e tyre. Ky projekt është një hap i madh përpara në rrugën e digjitalizimit të ekonomisë shqiptare, duke krijuar mundësi të reja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe duke ndihmuar në modernizimin e sektorëve kyç si turizmi dhe bujqësia.

DiVA: Një Platformë për Transformimin Digjital

DiVA është një nismë katërvjeçare që synon të përshpejtojë transformimin digjital të SME-ve shqiptare duke ofruar shërbime si testimi i teknologjive, trajnimet për aftësi të avancuara digjitale, lehtësimi i investimeve dhe akses në ekosistemet inovative. Duke integruar teknologjitë më të fundit, si Inteligjenca Artificiale dhe Siguria Kibernetike, DiVA synon të përmirësojë standardet ESG (Ambientale, Sociale dhe të Qeverisjes) në përputhje me prioritetet kombëtare dhe objektivat e BE-së për digjitalizimin. Kjo iniciativë pritet të nxisë rritjen ekonomike dhe të rrisë konkurrencën e sektorëve kyç në Shqipëri. Përmes një bashkëpunimi të ngushtë me komunitetin e biznesit dhe institucionet akademike, DiVA synon të krijojë një ekosistem të qëndrueshëm për inovacionin digjital dhe të ndihmojë vendin të përmbushë objektivat e tij të transformimit teknologjik.