Ngjarja e vitit për studentët e arkitekturës ndodh në Universitetin Metropolitan Tirana! “Design and the City”

Duke nisur nga 5 shtatori e për një muaj në vijim, shkolla e arkitekturës në #UMT organizon “Design and the City”, një aktivitet polivalent në tematika dhe në vendndodhje që lidhet me arkitekturën dhe dizajnin. Gjithçka vjen përmes bashkëpunimit me arkitektë të huaj që vizitojnë Tiranën, me studio projektimi dhe partnerë vendas e ndërkombëtare si Inspireli Education, D-Works Architecture, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, studio e projektimit interior Gjyms Hana etj.

Nën frymëzimin e lëvizjes “Situacioniste”, aktivitetet që do të zhvillohen në vende të ndryshme të Tiranës, kanë si synim të krijojnë një aksion transformimi dhe të hapin një diskurs rreth arkitekturës e dizajnit nëpërmjet workshopeve, ekspozitave apo leksioneve të hapura, në një qytet që është në ndryshim të përditshëm.

Gama e aktiviteteve do të përfshije tema si: dizenjimi i një apartamenti, Modelimi/printimi 3D, transformimet në banesat e parafabrikuara, dizjani në shkallë urbane dhe qyteti, etj., me pjesëmarrjen e studentëve të arkitekturës në #UMT dhe më gjerë, të cilët do të kenë edhe një ekspozitë me punimet e tyre.