

Universiteti Metropolitan Tirana u shndërrua në epiqendrën e inovacionit dhe analizës së të dhënave, duke mirëpritur edicionin e dytë të DAIT Datathon. Ky event dy-ditor, organizuar në bashkëpunim me Raiffeisen Bank, Data Max dhe Laboratori i Inteligjencës Artificiale në UMT, mblodhi studentë të apasionuar pas inteligjencës artificiale dhe shkencës së të dhënave, duke i sfiduar ata me një problem real nga industria.
Dita e dytë nisi me një tryezë të rrumbullakët mbi rolin e AI në industri dhe akademi, ku ekspertë të njohur si Silva Bashllari nga DAIT, Phd © Oriod Malo dhe PhD © Evis Plaku nga UMT, Bujar Bakiu nga Data MAX, Arlinda Budo dhe Dario Hoxhaj nga Raiffeisen Bank ndanë perspektivat e tyre mbi mundësitë dhe sfidat në këtë fushë. Diskutimet u shndërruan në një burim frymëzimi për studentët, të cilët më pas morën pjesë në dy workshop-e intensive, ku u thelluan në konceptet kyçe të AI dhe Data Science.
Diskutimet nuk ishin të kufizuara vetëm në teori – studentët patën mundësinë të pyesnin dhe të shkëmbenin ide me ekspertët, duke krijuar një atmosferë interaktive dhe të frymëzuar nga bota reale.
Ky event nuk ishte thjesht një garë apo një seminar i zakonshëm – ishte një mundësi për të përjetuar se si funksionon bota e të dhënave, si përdoren teknikat e machine learning, dhe si merren vendime bazuar në analiza të avancuara. Dy ditë të mbushura me mësim, sfida dhe bashkëpunim, ku studentët testuan kufijtë e aftësive të tyre dhe ndërtuan ura të reja me botën profesionale.
Datathoni – skena ku studentët dëshmuan aftësitë e tyre
Pas workshop-eve të ditës së parë, pjesëmarrësit kaluan në fazën më sfiduese të eventit: Datathon-in. Studentët u ndanë në ekipe dhe u përballën me një detyrë komplekse – të analizojnë një set të dhënash dhe të krijojnë një zgjidhje duke përdorur AI dhe Data Science. Nuk mjaftonte vetëm programimi; ata duhej të tregonin logjikë analitike, kreativitet dhe mendim kritik për të arritur në një rezultat të vlefshëm. Gjatë gjithë ditës, pjesëmarrësit punuan intensivisht me algoritme të avancuara, modele të machine learning dhe teknika vizualizimi të të dhënave. Mentorët ishin aty për t’i udhëhequr, duke i ndihmuar të përmirësonin strategjitë dhe qasjet e tyre për të zgjidhur sfidën. Universiteti Metropolitan Tirana, përmes organizimit të këtij eventi, tregoi edhe një herë përkushtimin e tij për të përgatitur profesionistët e ardhshëm të teknologjisë dhe për të krijuar një mjedis ku inovacioni dhe praktika shkojnë dorë për dore.Çmimet dhe mundësitë për fituesit
Në fund të ditës, ekipet paraqitën projektet e tyre përballë një paneli gjykuesish, të cilët vlerësuan saktësinë, inovacionin dhe qasjen strategjike të secilës zgjidhje. Gara ishte e ngushtë, por disa grupe dolën në pah me performancën e tyre të shkëlqyer. Fituesit e Datathon-it u shpërblyen me:- Dy internship-e të paguara në Raiffeisen Bank, duke iu dhënë mundësinë të punojnë me të dhëna reale në një nga institucionet financiare më të mëdha në Shqipëri.
- Dy internship-e të paguara në UMT AI Lab, të dedikuara për studentët e vitit të dytë master që synojnë një PhD në inteligjencë artificiale.
- Mundësinë për të zhvilluar temën e diplomës në bashkëpunim me Data Max, një kompani lider në analizën e të dhënave.