Search
Close this search box.
E-Shërbime

Bashkëpunim me universitetin “Ruse Angel Kanchev”, Bullgari

Në kuadër të marrëveshjes ndër-institucionale Erasmus+, Universiteti Metropolitan Tirana priti në ambjentet e veta përfaqësuesit e  Universitetit Ruse Angel Kanchev Bullgari.

Delegacioni i përbërë nga Zv. Rektorja për Ndërkombëtarizimin dhe Politikat e Komunikimit Prof. Asoc. Desislava Atanasova, Dekania e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike, Elektronikës dhe Automatizimit Prof. Asoc. Vyara Ruseva dhe Përgjegjësi i Departamentit të Informatikës dhe Teknologjive të Informacionit Prof. Asoc. Rumen Rusev, u mirëprit nga Rektori i UMT Prof. Dr. Nikolla Civici dhe përfaqësues të stafit akademik dhe zyrës së marrëdhënieve me jashtë. Gjatë takimit, përfaqësues të të dy universiteteve diskutuan mbi zgjerimin e fushave të bashkëpunimit në kuadër të programit Erasmus+ dhe projekteve europiane.

Universiteti Ruse Angel Kanchev Bullgari ka një histori rreth 80 vjeçare dhe ofron, ndër të tjera, programe në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Në këtë drejtim, përfaqësuesit e universitetit vlerësuan tej mase programin e Doktoratures në Inteligjencë Artificiale dhe Sisteme Inteligjente i cili ofrohet për herë të parë në Shqipëri nga UMT dhe mundësinë e zhvillimit të projekteve të ndryshme në këtë fushë.

Programi Erasmus+ është një shtyllë kryesore në ndërkombëtarizimin e Universitetit Metropolitan Tirana, certifikuar së fundmi nga Komisioni Evropian me Kartën Erasmus për Arsimin e Lartë.