Search
Close this search box.
E-Shërbime

Alumni Awards kremton arritjet e studentëve të diplomuar në UMT, mbi 75% e tyre të punësuar në profilin e studimeve

Alumni Awards është eventi i përvitshëm i Universitetit Metropolitan Tirana që nderon studentët e diplomuar, tashmë të suksesshëm në profesionet e tyre.

Me mbi 1,500 të diplomuar, UMT është kthyer në një institucion elitar të formimit të studentëve në shkencat ekzakte përmes programeve të studimit në inxhinieri, arkitekturë, shkenca kompjuterike dhe ekonomi.

Në fjalën e tij, Rektori i UMT Nikolla Civici prezantoi edhe të dhënat e fundit, sipas së cilave 75% e studentëve janë të punësuar në përputhje të plotë me profilin e tyre të studimeve.

“Përfitoj nga kjo përshëndetje për të ndarë disa nga gjetjet e anketës më të fundit që Zyra Alumni ka kryer, ku sigurisht punësimi në kompani prestigjioze brenda gjashtë muajve nga diplomimi është një fakt i pamohueshëm që na konfirmohet sërish, Por ka edhe një tjetër shifër është shumë domethënëse, si ajo e punësimit në përputhje me shkollimin e kryer, ku 75% e studentëve punojnë plotësisht në profilin e tyre. Është shembulli më i qartë dhe e dhëna më motivuese se gjithë puna që kemi bërë ndër vite në hartimin e programeve, në bashkëpunimin e ngushtë me sipërmarrjen dhe institucionet shtetërore, që është kthyer në kryefjalë të punës sonë të përditshme, ka qenë në drejtimin e duhur, me vizionin qartë për t’u dhënë studentëve mundësinë të mendojnë globalisht, duke studiuar në Shqipëri. Rreth 10% e të diplomuarve janë aktualisht të punësuar jashtë vendit, një tjetër provë e mirë se vlera e diplomës së Universitetit Metropolitan i tejkalojnë kufijtë, duke u njohur plotësisht në vendet e Bashkimit Europian apo në Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Civici.

Në fjalën e tij, Rektori i UMT gjithashtu prezantoi edhe studimet doktorale në Inteligjencë Artificiale dhe në Sisteme Inteligjente, në partneritet me Universitetin Gustav Eiffel (Paris, France), Institut National de Sciences Appliquées (Grenoble, France), Ecole Centrale – Supelec/ CNRS (France), University of Tennessee at Chattanooga (SHBA), me një formë unike që siguron studime në Francë e në Shqipëri, punësim dhe mbështetje në kërkim shkencor dhe me kosto zero për doktorantët.

Presidenti i UMT, Arjan Çukaj u shprehu mirënjohjen studentëve të diplomuar ndër vite, që sipas tij janë ambasadorët më të mirë të universitetit. Duke përmendur akreditimin e shkëlqyer nga Agjencia Britanike e Akreditimit dhe ASCAL, Çukaj përmendi edhe nisjen e programit bachelor në Inteligjencë Artificiale, i pari program i tillë në Shqipëri.

“Jo vetëm studentët e parë kanë nisur një program unik për Shqipërinë sic eshte Inteligjenca Artificiale, mes Shqipërisë dhe Francës, por në vitin e ri akademik do të jenë studentët francezë nga universitetet tona partnere që do t’i mikpresim në Universitetin Metropolitan për të kryer studimet. Dhe shumë shpejt, licensohet edhe programi bachelor në Inteligjencë Artificiale, një program që vjen për herë të parë si mundësi për maturantët që do të kenë mundësi ta zgjedhin që tani për të vazhduar studimet e tyre. E gjitha kjo s’do të bëhej e mundur pa stafin tonë energjik, por mbi të gjitha pa një partner të fuqishëm, bashkëpunëtor të vyer që ka besuar nga dita e parë tek UMT dhe që e forcon marrëdhënien tonë dita-ditës: Faleminderit Ambasadës së Francës në Shqipëri që besuat në këtë projekt të pamendueshëm deri pak vite më parë, por krejtësisht të realizueshëm siç jemi të gjithë dëshmitarë. Ndoshta shembulli më i pastër për forcën e arsimin dhe rolin e jashtëzakonshëm të universitetit në shoqëri”, u shpreh ndër të tjera Çukaj.

Në një mjedis me personalitete të shquara të fushës akademike dhe jo vetëm, studentë të diplomuar ndër vite në UMT dhe bashkëpunëtorë, ishte Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi që vlerësoi rolin e Universitetit Metropolitan si një institucion që gjithmonë ekspertizën e vendos në shërbim të komunitetit dhe institucioneve publike, duke kontribuar vazhdimisht në sektorë të ndryshëm. Gjatë ceremonisë Alumni Awards, u akorduan Çmimi i Ekselencës në Edukim për Xhuljana Spahiu, Çmimi Alumni i Shquar për Amarildo Ahmati, Çmimi i Karrierës për Evis Sako, Çmimi i Kontributit Alumni për Reiner Broqaj, ndërsa profesoreshë Fatlinda Struga, pedagoge në programin e arkitekturës, u nderua me Çmimin “Profesori Im”, votuar nga studentët në këtë edicion të vitit 2023.