Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë vendosi me vendim nr. 62, datë 09.09.2022 akreditim 5-vjeçar të programit të studimit të ciklit të dytë Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektrike”, me profile “Energjitikë” dhe “Automatizim Industrie”, si edhe me vendim Nr. 63, datë 09.09.2022 akreditim për periudhën 5 vjeçare të programit të Integruar të studimit të ciklit të dytë, Master i Shkencave në Arkitekturë , me profile “Arkitekt”, “Bio-Arkitekt”, “Arkitekt-Restaurues”, “Arkitekt-Inxhinier”, “Arkitekt-Interier” të Universitetit Metropolitan Tirana.
UMT konfirmohet edhe një herë si një institucion elitar në sektorin e arsimit të lartë në Shqipëri, duke pasur gjithmonë objektiv kryesor sigurimin e cilësisë maksimale për studentët dhe ndërkombëtarizimin.Pas vlerësimit institucional të vitit 2017, UMT ka marrë vlerësime maksimale edhe në akreditimet e periodike, siç është edhe rasti i fundit me dy programet e Arkitekturës dhe Inxhinierisë Elektrike. Punësimi i shpejtë i studentëve në tregun vendas apo atë rajonal, si dhe njohja e diplomës së UMT në shtete si Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Anglia, Italia apo Belgjika ku shumë studentë ALUMNI po zhvillojë karrierën profesionale janë një tjetër provë e rëndësishme e përgatitjes shumëdisiplinore e studentëve.
Programi i Inxhinierisë Elektrike është ndër kryesorët në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe IT, me një infrastrukturë unike laboratorike në Shqipëri që përfshin Laboratorin e matjeve elektrike dhe elektronike, Laboratorin e komunikimit dhe procesimit të sinjaleve, Laboratorin e automatizimit, Laboratorin e sistemeve të shpërndarjes së energjisë dhe pajisjeve elektronike. Fakulteti ka një bashkëpunim të frytshëm me disa prej universiteteve më prestigjioze franceze si UPEC, UGA-GIPSA, UGE-ESIEE, CentraleSupelec dhe universitetin amerikan University of Tennessee Chattanooga me angazhimin e profesorëve francezë dhe amerikanë, krahas atyre shqiptarë, ndërsa çdo ditë studentët në UMT kanë mundësinë të udhëhiqen nga pedagogët vendas dhe të huaj si Dr. Eni Saqe, Prof. Asoc. Dr. Ali Uzer nga Turqia, Dr. Nikos Frydas nga Greqia etj.
Universiteti Metropolitan Tirana këtë vit ka çelur edhe programin e doktoraturës në Inteligjencë Artificiale dhe Sisteme Inteligjente, një sukses jo vetëm për institucionin, por për të gjithë studentët shqiptarë dhe kërkuesit e rinj shkencorë.
Po ashtu programi i Arkitekturës, pjesë e Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës, përtej mësimdhënies klasike, është një pol i rëndësishëm ku bashkohen arkitektë ndërkombëtare, punë të shumta praktike, pjesëmarrje në konkurse ndërkombëtare siç është “Inspireli Awards” apo organizimi i “Design and the City”, një maratonë eventesh që jo vetëm bashkoi studentët me arkitektë nga tregu i punës, por solli në kryeqytet edhe Branko Belaćević, një ndër emrat më të rëndësishëm botërorë të arkitekturës.