Academia for Innovation: Bridging the Gap Between Business and Research

Një konferencë inovatore që frymëzoi sipërmarrjen akademike në Shqipëri

Gjatë kësaj jave, Piramida e Tiranës u bë epiqendra e inovacionit dhe sipërmarrjes, duke mirëpritur konferencën prestigjioze “Academia for Innovation: Bridging the Gap Between Business and Research”. Kjo konferencë, organizuar nga Ministria e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit dhe Start-Up Albania Agency, në bashkëpunim me UMT, kishte për qëllim ndërtimin e urave të bashkëpunimit midis kërkimit shkencor dhe aplikimeve praktike në treg. Konferencën e hapi znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, e cila në fjalën e saj përshëndetëse nënvizoi: “Inovacioni dhe kërkimi shkencor janë shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik. Ky aktivitet synon të krijojë ura ndërmjet akademisë dhe sipërmarrjes, duke i dhënë Shqipërisë mundësinë për një ekonomi të bazuar te dijet.” Konferenca mblodhi së bashku një panel të shquar ekspertësh dhe liderësh nga fusha e kërkimit, inovacionit dhe investimeve.

Grant Van Cleve, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, ndau përvojat e tij mbi fuqinë e lidhjes së kërkimit me biznesin. Mirela Muca, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare për Kërkimin dhe Inovacionin, prezantoi mundësitë për financimin e projekteve inovative në Shqipëri.

Prof. Dr. Entela Haloci, nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, ndau një histori suksesi për zhvillimin e produkteve farmaceutike bazuar në bimët medicinale shqiptare. Dr. Igli Hakrama, Drejtues i Qendrës së Inovacionit Metropolitan (UMT), solli rolin e qendrave të inovacionit në nxitjen e projekteve startup. Dr. Eugen Musta, Drejtues i CIT Hub, prezantoi zgjidhje për fuqizimin e ekosistemit të inovacionit në Shqipëri.

Gjatë diskutimeve, panelistët dhe pjesëmarrësit trajtuan tema të rëndësishme, duke përfshirë: Transformimin e projekteve të doktoraturës në produkte ose shërbime konkrete. Identifikimin e investitorëve të interesuar për të mbështetur inovacionin akademik. Rëndësinë strategjike të sipërmarrjes akademike për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Diskutimet përfshinë shembuj konkretë nga fusha të ndryshme, duke tërhequr sipërmarrës, studentë dhe investitorë vendas e ndërkombëtarë. Secili prej tyre solli një perspektivë unike, duke kontribuar në një dialog të hapur mbi sfidat dhe mundësitë për inovacionin dhe zhvillimin.

Kjo konferencë shënoi një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, duke treguar se potenciali akademik i vendit mund të kthehet në një motor zhvillimi ekonomik. Duke bashkuar kërkimin dhe sipërmarrjen, ajo demonstroi se ekosistemi i inovacionit mund të fuqizohet përmes bashkëpunimit të ngushtë midis qeverisë, akademisë dhe sektorit privat.