Ndërsa qytetet vazhdojnë të rriten dhe popullsia urbane të shtohet, kërkesa për energji rritet ndjeshëm, duke e bërë të domosdoshme adoptimin e praktikave që reduktojnë humbjet, maksimizojnë efiçiencën dhe mbrojnë mjedisin. Në këtë kontekst, Universiteti Metropolitan i Tirana organizoi këtë javë seminarin hibrid “Qëndrueshmëria dhe efiçienca e energjisë në strehimin urban dhe përtej saj”, një ngjarje që mblodhi ekspertë, akademikë dhe vendimmarrës për të diskutuar strategjitë inovative për të adresuar këto sfida kritike.
Seminari, i cili u zhvillua më 8 janar 2025, u fokusua në nevojën për të transformuar sektorin e strehimit urban përmes zgjidhjeve të qëndrueshme dhe inovative. Diskutimet nisën me një fjalë përshëndetëse nga Prof. Asoc. Dr. Emre Çeçen, i cili theksoi rolin kyç që kanë praktikat e menaxhimit të energjisë dhe teknologjitë e rinovueshme në përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm .
Në vijim, folës të ndryshëm ofruan një perspektivë të gjerë mbi sfidat dhe mundësitë në këtë fushë. Dr. Klaus Vogstad ndau përvoja nga Norvegjia mbi auditimin e energjisë , ndërsa Prof. Asoc. Dr. Aulon Shabani prezantoi mundësitë që ofrojnë energjitë e rinovueshme për ngrohjen dhe ftohjen. Msc. Arben Burda analizoi humbjet e energjisë në ndërtesat e ndërtuara para viteve 1990 në Shqipëri, dhe Dr. Lorenc Gordani trajtoi rëndësinë e integrimit të paneleve diellore në menaxhimin e pasurive të patundshme.
Ndërkohë, Përgjegjësi i Depratamentit të Arkitekturës në UMT, Dr. Ernest Shtepani eksploroi konceptin e distrikteve të energjisë pozitive, duke vënë në kontrast qytetet tradicionale me lagjet moderne që synojnë të prodhojnë më shumë energji sesa konsumojnë. Për të përmbyllur, Dr. Besim Islami prezantoi një plan afatgjatë për rinovimin e fondit të ndërtesave në Shqipëri, duke propozuar hapa konkretë për një transformim të thellë të sektorit.
Diskutimi përfundimtar i hapur nxiti pjesëmarrësit të shkëmbenin ide dhe të propozonin zgjidhje për problemet e trajtuara. Ky seminar jo vetëm që adresoi sfidat ekzistuese, por edhe theksoi nevojën për një veprim të përbashkët ndërdisiplinor për të krijuar një të ardhme më të qëndrueshme energjetike dhe urbane. Universiteti Metropolitan Tirana, përmes këtij organizimi, konfirmoi edhe një herë rolin e tij si një qendër akademike që promovon inovacionin dhe zhvillimin.