16 FINALISTËT ROBOTECH - UMT

16 FINALISTËT QË DO TË NGJITEN NË PIRAMIDË: SIMBOLIKISHT DHE FIZIKISHT

Pas një përzgjedhjeje të kujdesshme dhe me vështirësi për shkak të cilësisë së lartë, 16 ekipe siguruan vendin e tyre në finalen e 27 prillit, në Piramidën e Tiranës, ku do të ndahen 4 çmime madhore.

Një kapitull i jashtëzakonshëm u mbyll, ndërsa një tjetër sapo ka filluar për robotistët më të rinj të Shqipërisë

Përgjatë dy ditëve intensive, u zhvillua një prej garave më emocionuese dhe të paharrueshme për rininë shqiptare, Gjysmëfinalja e RoboTech. Nën dritat e teknologjisë, të rrethuar nga robotë, sensorë, aplikacione dhe ekranë që shfaqnin zgjidhje nga më të guximshmet, mbi 180 gjimnazistë nga 9 qytete të Shqipërisë dhanë maksimumin e tyre në një sfidë që nuk ishte vetëm teknologjike, por edhe shpirtërore.

E gjitha nisi para më shumë se dy muajsh, kur të rinj nga Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani, Vlora, Shkodra, Korça, Gjirokastra dhe Pogradeci vendosën të bashkohen në një rrugëtim inovacioni. Me ide që burojnë nga realiteti i përditshëm, këta të rinj konceptuan robotë për të përmirësuar jetën, mjedisin dhe shërbimet për komunitetin. Për 8 javë me radhë ata ndërtuan, eksperimentuan, mësuan dhe u përballën me sfida reale të botës së teknologjisë, të gjitha këto të përmbledhura në pak minuta prezantimi përpara një jurie të specializuar.

Finalistët që do përfaqësojnë frymën e RoboTech janë:

Gjimnazi Sami Frashëri, Tiranë – V Sense / Gjimnazi Partizani, Tiranë – Gaia Bot  

Gjimnazi Petro Nini Luarasi, Tiranë – Crop Bot

Gjimnazi Andon Zako Çajupi, Tiranë – Ekko

Gjimnazi Ismail Qemali, Tiranë – Aero Care / Post-E 

Gjimnazi Qemal Stafa, Tiranë – Pyroguard 

Shkolla “Tirana Jonë” – Zoo Bot 

Gjimnazi “28 Nëntori”, Shkodër – PathMate 

Gjimnazi “Dhaskal Todri”, Elbasan – SmartGuard AI 

Gjimnazi “Asim Zeneli”, Gjirokastër – Chrono Guide 

Gjimnazi “Nehemia”, Pogradec – PyroGuard 

Gjimnazi “Flatrat e Dijes”, Fier – Lumen

Gjimnazi “Leonik Tomeo”, Durrës – Adriatik Bot 

Gjimnazi “Naim Frashëri”, Durrës – Eco Bot 

 Gjimnazi “Ali Demi”, Vlorë – OOGWAY

Një arenë emocionesh dhe sfidash

Gjysmëfinalja, e cila u zhvillua në formën e një maratone prezantimesh dhe testimesh teknike, i dha jetë një atmosfere unike në UMT, ku ndërthurja mes emocionit rinor, ideve novatore dhe profesionalizmit ishte e ndjeshme në çdo cep të sallës.

Të emocionuar, disa me duar që dridheshin nga emocionet dhe të tjerë me lot në sy nga gëzimi apo zhgënjimi i moskualifikimit, gjimnazistët treguan një nivel të admirueshëm maturie dhe entuziazmi. Ishte një skenë që tejkaloi një garë, ishte një rrëfim për guximin për të ëndërruar dhe për të ndërtuar.

RoboTech është tashmë më shumë se një konkurs, ai është një nismë kombëtare për të fuqizuar të rinjtë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Është një investim në të ardhmen e Shqipërisë,

një thirrje për të besuar se vendi ynë ka talente të jashtëzakonshme, të cilat presin vetëm një mundësi për të ndriçuar.

Finalja në Piramidë do të jetë më shumë se një ngjarje – do të jetë një festë për teknologjinë, krijimtarinë dhe të ardhmen. Të gjithë janë të ftuar të jenë pjesë e kësaj historie.

Juria e vlerësimit përbëhej nga emra të spikatur në fushat e teknologjisë, robotikës dhe komunikimit

Një komponent thelbësor në këtë garë ishte juria, e përbërë nga emra të njohur në fushën e teknologjisë, inteligjencës artificiale, robotikës dhe komunikimit:

· PhD, © Evis Plaku: “ Nuk ka fjalë që përshkruajnë emocionin kur sheh një të ri 16-vjeçar që mendon si një inxhinier i së ardhmes. Robotët që u prezantuan nuk ishin thjesht pajisje – ishin zgjidhje reale për probleme reale. RoboTech po kthehet në një lëvizje të fuqishme për teknologjinë dhe edukimin në Shqipëri”.

· Dr. Sonila Daiu: “Gjatë gjithë prezantimeve u ndjeva si në një forum ndërkombëtar të inovacionit. Ajo që më impresionoi ishte jo vetëm profesionalizmi teknik, por edhe mënyra si këta të rinj e përcollën mesazhin e tyre – me pasion, besim dhe ndjeshmëri sociale.”

· Dr. Igli Hakrama: “Të rinjtë tanë kanë kapërcyer çdo pritshmëri. Kishim robota që ndërvepronin me mjedisin përmes AI, që dallonin situata të rrezikshme, madje që ndihmonin edhe në kujdesin shëndetësor. E ardhmja është këtu dhe këta janë arkitektët e saj.”

· Z. Endi Kalemaj: “Pashë shumë më tepër se teknologji – pashë përfshirje qytetare, zgjidhje për komunitetin, ide për shëndetin mendor, për mjedisin, për mobilitetin. RoboTech po formëson liderë të rinj, jo vetëm teknikisht të aftë, por edhe etikisht të vetëdijshëm.”

· Z. Marlin Nano: “Është e pabesueshme të shohësh një nivel kaq të lartë të ndërtimit robotik nga nxënës gjimnazistë. Kjo tregon se potenciali është aty – na mbetet ta mbështesim, ta orientojmë dhe ta fuqizojmë.”

Me profesionalizëm dhe ndjeshmëri, ata vlerësuan jo vetëm për rezultatet teknike, por edhe për kreativitetin, impaktin e projekteve në komunitet dhe mënyrën e prezantimit nga vetë nxënësit.

Çmimet Fituese: Çmimi i Parë: 2000€; Çmimi i Dytë: 1500€; Çmimi i Tretë: 1000€, dhe Çmimi i Publikut: 500€.

Teknologjia, kreativiteti dhe inovacioni janë tri shtyllat mbi të cilat ndërtohet RoboTech, duke frymëzuar brezin e ardhshëm të inovatorëve që do të formësojnë zhvillimin e Shqipërisë në vitet që vijnë.