Universiteti Metropolitan Tirana zhvilloi Ceremoninë e Diplomimit 2025, një nga momentet më të rëndësishme të jetës akademike të institucionit, ku qindra studentë përfunduan me sukses studimet e tyre në fushat e inxhinierisë, shkencave kompjuterike, arkitekturës, inteligjencës artificiale dhe ekonomisë.
Ceremonia u zhvillua mes energjisë së të rinjve dhe emocioneve të prindërve, duke shënuar njëkohësisht edhe nisjen zyrtare të vitit jubilar të 15-vjetorit të Universitetit Metropolitan Tirana. Ky përvjetor do të shoqërohet me një program njëvjeçar aktivitetesh akademike, shkencore, kulturore dhe studentore, që synojnë të pasqyrojnë rrugëtimin, arritjet dhe vizionin e institucionit për të ardhmen.
Në ceremoni morën pjesë të ftuar të nderit nga institucionet publike, përfaqësues të trupit diplomatik, drejtues akademikë, si dhe përfaqësues të sipërmarrjes dhe partnerë të universitetit. Të pranishëm ishin Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, Zëvendësministrja e Arsimit, znj. Herida Duro, Catherine Veber nga Ambasada e Francës në Shqipëri, profesor Dhori Kule, anëtarë të Bordit të Universitetit, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.
Gjatë ceremonisë, Rektori i Universitetit Metropolitan Tirana, Prof. Dr. Nikolla Civici, iu drejtua studentëve me një mesazh motivues, duke theksuar se diploma nuk është thjesht një dokument formal, por një instrument që u jep të rinjve mundësinë për të ndikuar pozitivisht në shoqëri dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre profesionale.
Në fjalën e tij, Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana, Arjan Çukaj, theksoi se vizioni i institucionit është ndërtuar mbi tre shtylla kryesore: kërkimin shkencor, mësimdhënien cilësore dhe ndërkombëtarizimin, duke bërë një bilanc të 15 viteve të zhvillimit të universitetit.
“Në këto 15 vite kemi investuar mbi të gjitha te të rinjtë, duke ofruar më shumë se 2000 bursa studimi dhe duke ndërtuar një universitet të orientuar drejt dijes, inovacionit dhe përgjegjësisë sociale. Ndërkombëtarizimi ka marrë një dimension të ri me Shkollën e Doktoraturës në Inteligjencë Artificiale, e para në Shqipëri në këtë fushë, përmes bashkëpunimit me universitete prestigjioze franceze si Universiteti Grenoble dhe Universiteti Paris-Saclay. Vizioni ynë është që në këtë vit jubilar të hedhim hapin e radhës me krijimin e Shkollës së Doktoraturës në Arkitekturë dhe Ekonomi, si një investim strategjik për formimin e stafit të ardhshëm akademik dhe studiuesve të rinj shkencorë në Shqipëri, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare”, u shpreh Presidenti i UMT Arjan Çukaj.
Të diplomuarit u përshëndetën gjithashtu nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, i cili vlerësoi kontributin e Universitetit Metropolitan Tirana në ekosistemin e arsimit të lartë dhe inovacionit në Shqipëri, si dhe rolin e tij në formimin e profesionistëve të rinj.
Një vlerësim të veçantë për rolin e Universitetit Metropolitan Tirana dha edhe Catherine Veber, përfaqësuese e Ambasadës së Francës në Shqipëri, e cila theksoi rëndësinë e partneritetit me universitetet franceze, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale dhe programeve doktorale.
“Bashkëpunimi në fushën e doktoraturave dhe kërkimit shkencor në inteligjencën artificiale e pozicionon Universitetin Metropolitan Tirana si një partner të rëndësishëm akademik”, u shpreh Veber.
Zëvendësministrja e Arsimit Herida Duro, vlerësoi përpjekjet për ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare, duke theksuar se Ministria e Arsimit ka ndërtuar një rrjet bashkëpunimi me universitete prestigjioze europiane, si Universiteti BOKU në Austri dhe Universiteti i Kompienjit, i specializuar në teknologji dhe inovacion, ndërsa përgëzoi Universitetin Metropolitan Tirana për vizionin dhe angazhimin e tij konkret në këtë drejtim.
Një moment i veçantë iu rezervua edhe studentëve ekselentë, të cilët u vlerësuan për rezultatet e tyre akademike në shkenca kompjuterike, arkitekturë, ekonomi dhe inteligjencë artificiale.
Universiteti Metropolitan Tirana, i profilizuar tërësisht në shkencat ekzakte, ofron programe studimi në shkenca kompjuterike, inxhinieri, arkitekturë dhe ekonomi dhe është universiteti i parë në Shqipëri që ofron studime doktorale në fushën e inteligjencës artificiale, duke u pozicionuar si një pikë referimi në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në vend.



