Projekti i Këshillit Studentor të Universitetit Metropolitan Tirana është shpallur fitues në thirrjen per projekte të Agjencisë Universitare Frankofone mbi Sipërmarrjen Sociale, 2020-2021.

Për të dhënë kontributin e saj me karakter përfshirës në komunitet,  Këshilli Studentor i UMT ka ideuar një platformë online që synon të reduktojë pasojat negative psikologjike të COVID-19 te studentët.

Duke qenë se studimet kanë treguar se shëndeti dhe mirëqenia mendore e të rinjve është e prekur në mënyrë të ndjeshme nga pandemia dhe ka ndikim edhe në performancën e tyre akademike, duhen implementuar alternativea ndihmuese në frenimin e këtyre impakteve të dëmshme sikurse jane stresi, pasiguria apo ankthi.

Këshilli Studentor i UMT për të realizuar këtë projekt ka përzgjedhur asistencën e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të UMT, ashtu sikurse dhe bashkëpunimin e studentëve të Shkencave Sociale, Gjuhëve të Huaja dhe Gazetarisë të Universitetit të Tiranës.

Platforma e ndërtuar nga studentët e shkencave kompjuterike të UMT do të kontribuojë me infrastrukturen teknike (ndërtimin e platformës online) që do të jetë e aksesueshme nga të gjithë studentët shqiptarë, por edhe të rinjtë frankofonë, pasi do mund të aksesohen informacione në dy gjuhë: shqip dhe frëngjisht. Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja do të bëjnë përkthimin e materialeve në frëngjisht dhe studentët e angazhuar në Metroresearch do të ndihmojnë me promovimin e projektit.

Ky është projekti i dytë që UMT fiton nga Agjencia Universitare Frankofone, pas atij për ofrimin e kurseve online për sipërmarrjen sociale.

Çfarë synon ky projekt?

• Ofrimin i një alternative ndihmuese këshilluese psikologjike falas për studentët që e ndjejnë të nevojshme;

• Ruajtjen e performancës akademike te studentët në një periudhë të vështirë dhe të ngarkuar nga ana psikologjike;

• Rritjen e angazhimit social të studentëve;

• Praktikimin e njohurive psikologjike të studentëve të ciklit Master në fushën e Psikologjisë, FSHSUT;

• Përmirësimin e të kuptuarit rreth ndikimit psikologjik të COVID-19 në mirëqenien dhe shëndetin mendor të të rinjve;

• Përmirësimin e aftësive për të aplikuar njohuri rreth menaxhimit të mirëqenies personale dhe shëndetit mendor gjatë COVID-19;

• Zhvillimin i njohurive për ndikimin e COVID-19 rreth vetes dhe njerëzve të tjerë;

• Reflektimin ndaj përvojave të të tjerëve në lidhje me COVID-19;

• Përmirësimin e nivelit të stresit te studentët gjatë pandemisë COVID-19.