Vendim i Senatit Akademik të UMT për rikthimin në auditorë dhe datat e provimeve

Senati Akademik i Universitetit Metropolitan Tirana, në kushtet e mësimdhënies në distancë për shkak të pandemisë globale Covid-19, ka miratuar një sërë ndryshimesh në kalendarin akademik të vitit 2019-2020, për të siguruar cilësinë maksimale të mësimdhënies edhe në këtë situatë.

Konkretisht është vendosur që procesi mësimor të vazhdojë deri më 19 qershor 2020 për programet e ciklit të parë dhe programet me karakter profesional 2-vjeçar, dhe deri më 3 korrik 2020 për programet e ciklit të dytë. Ndërkohë procesi mësimor online do të vazhdojë deri më 31 maj 2020.

Nga data 1 qershor, 3 javët e fundit akademike për programet e ciklit të parë dhe ato profesionale dhe nga data 15 qershor për programet e ciklit të dytë, procesi mësimor do të zhvillohet në auditor.

Gjatë kësaj periudhe, pedagogët do të zhvillojnë përsëritje, seminare, ushtrime, punë laboratorike dhe praktika mësimore, gjithmonë duke zbatuar rregullat e distancimit social. Nga ana tjetër, UMT zotohet të përmbushë të gjitha masat për dezinfektimin dhe higjienizimin e ambienteve.

Për të lexuar të plotë vendimin e Senatit Akademik, datat e provimeve të posaçme dhe datat e sezoneve të vjeshtës mund të klikoni këtu.