UMT solidarizohet me Ukrainën, ofron dhjetë bursa studimi për studentët ukrainas

Universiteti Metropolitan Tirana do të ofrojë dhjetë bursa studimi për studentët ukrainas që do të qëndrojnë në Shqipëri si rezultatat i agresionit rus ndaj popullit ukrainas. Në një takim në Ambasadën e Ukrainës në Tiranë me ambasadorin Volodymyr Shkurov, Presidenti i UMT Arjan Çukaj dhe Rektori Prof. Dr. Nikolla Civici shprehën solidarizimin me popullin e Ukrainës, duke ofruar edhe vende punësimi për pedagogët ukrainas në universitet.

“Ne kemi marrëveshje bashkëpunimi me pesë universitete në Ukrainë. Në Universitetin Metropolitan një sërë programesh zhvillohen në anglisht, gjë që lehtëson aksesin e studentëve në universitet. Madje kjo veçori na bën që të mirëpresim stafin akademik ukrainas në profilet që i përputhen programeve tona, si inxhinieri, shkenca kompjuterike, arkitekturë ose ekonomi. Jemi totalisht të angazhuar për të dhënë kontributin tonë konkret në këtë situatë”, u shpreh rektori Nikolla Civici.

Gjatë takimit, ambasadori Volodymyr Shkurov shpjegoi situatën kritike humanitare në Ukrainë, e cila ka sjellë një eksod masiv të grave dhe të rinjve në vendet kufitare. Në veçanti, ai njoftoi ardhjen e familjeve të para ukrainase në Shqipëri. Ambasadori Shkurov raportoi edhe për shkatërrimet e shumta të institucioneve arsimore, spitaleve dhe objekteve të tjera të rëndësishme infrastrukturore.

Presidenti i UMT, Arjan Çukaj sqaroi se studentëve ukrainas do t’u sigurohet një pjesë e shpenzimeve të jetesës në Shqipëri, ndërsa pedagogëve një pagë më e lartë në mënyrë që të kapërcejnë vështirësitë e shkaktuara nga shpërngulja e detyruar.

Ndoshta për Ukrainën është një gjë e vogël, por për Universitetin Metropolitan është një angazhim i madh dhe shumë i sinqertë. Do të mbështesim 10 studentë me bursë, duke i siguruar edhe pagesën e një pjese të shpenzimeve këtu. Po ashtu jemi të lumtur të mirëpresim deri në pesë pedagogë ukrainas, që do të angazhohen me kohë të plotë në mësimdhënie dhe në kërkim shkencor pranë universitetit, duke u siguruar një pagesë 40% më të lartë se niveli i pagave që ne aplikojmë aktualisht. Ata po përjetojnë një situatë ekstreme dhe duhet t’u gjendemi pranë. Shpresojmë që lufta të përfundojë sa më shpejtë, por ndërkohë le ta shohim këtë vështirësi si një premisë të mirë për të arritur bashkëpunime të frytshme në arsim e në shkencë, u shpreh Çukaj.

Ai shtoi se Universiteti Metropolitan do të nisë një lëvizje brenda sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri, për nxitjen e universiteteve të tjera në nisma të ngjashme për të mbështetur të rinjtë ukrainas në vazhdimin e shkollimit. “Do të nisim kontaktet me universitetet e tjera që këtë solidarizim ta shumëfishojmë në mbështetje të studentëve ukrainas. Shpresojmë që studentët ukrainas nuk do të humbasin asnjë ditë nga formimi i tyre”, tha Arjan Çukaj gjatë takimit në Ambasadën e Ukrainës.

UMT bëhet kështu pjesëmarrës në Fushatën #ScienceforUkraine i cili është një grup që ka si mision mbledhjen dhe shpërndarjen e  informacionit në lidhje me mundësitë e mbështetjes në nivel universitar, kombëtar dhe ndërkombëtar për studentët e diplomuar dhe studiuesit e lidhur drejtpërdrejt me një institucion akademik në Ukrainë.

Po ashtu pedagogët, stafi administativ dhe studentët e Universitetit Metropolitan Tirana kanë nisur një fushatë sensibilizuese për mbledhjen e ndihmave të ndryshme në mbështetje të popullit ukrainas dhe do t’i ofrojnë ndihmë Ambasadës së Ukrainës në Tiranë për organizimin e tyre.

UMT aktualisht ka marrëveshje bashkëpunimi me pesë universitete ukrainase, siç janë Kyiv National Economic University, Ivano-Frankivsk National Technical University of Oil and Gas, Lviv Polytechnic National University, Taras Shevchenko National University of Kyiv dhe Vasyl Stus Donetsk National University.