Universiteti Metropolitan Tirana organizoi Workshop-in, tashmë traditë prej 5 vitesh, “Investimi dhe Tregu i Pasurive të Paluajtshme në Shqipëri—Ndikimi nga zhvillimi i Turizmit”. Tema e zgjedhur për këtë vit ishte fusha e turizmit, si një sektor me interes dhe të ardhme premtuese për investitorët. Ky event u zhvillua me pjesëmarrjen e zëvendësministres së Turizmit dhe Mjedisit Vilma Bello, Drejtorit Didaktik të këtij kursi David Allen, ekspertë të fushës së pasurive të paluajtshme dhe përfaqësues të institucioneve të tjera politikbërëse.

Workshop-i është finalizimi i një kursi pasuniversitar 20-javor që përgatit ekspertë të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, një profesion shumë i kërkuar nga tregu i punës. Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori Nikolla Civici foli për fokusin që UMT i kushton kërkimit shkencor duke dhënë edhe lajmin e hapjes së doktoraturave në fushën e inteligjencës artificiale.




“Universiteti Metropolitan i fokusuar kryesisht në fushën e shkencave teknike, të inxhinierisë dhe ekonomisë e më pas është rritur në mënyrë të qëndrueshme dhe ka marrë formën e plotë të një universiteti në të cilin zhvillohen të gjitha aktivitetet si të mësimdhënies, ashtu edhe të kërkimit shkencor, duke u bërë pjesë e disa projekteve europiane. Këtë vit është shpallur edhe çelja e doktoraturës në fushën e Inteligjencës Artificiale”, u shpreh Civici.

E ftuar në këtë Workshop, ishte zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello e cila paraqiti një panoramë të mundësive për investitorët në këtë sektor.



“Si një nga motorët më të rëndësishëm të rritjes kombëtare, turizmi gjeneron sasi të konsiderueshme të rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit, buxhetin sipërmarrës dhe atë familjar. Sipas parashikimeve (Raportit Ekonomik të Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit), deri në vitin 2028 pritet që sektori i turizmit, në mënyrë direkte dhe indirekte të zërë 1/3 e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë”, tha zv.ministrja Bello në fjalën e saj.

Sipas saj, për sa i përket investimeve në këtë fushë, që është dhe arsyeja pse zhvillohet ky Workshop, Shqipëria ka miratuar një kuadër ligjor liberal të dizenjuar për të krijuar një klimë të favorshme investimi për investitorët e huaj.

“Potencialet janë të pafundme, megjithatë në zona të caktuara ne duhet të punojmë më tej me karakteristikat unike që ka çdo zonë e caktuar për të bërë një destinacion që artikulohet në mënyrë inteligjinte për të nxitur edhe efektivitetin në inovacion duke mos shkëputur lidhjen e fortë që duhet të ketë zhvillimi i turizmit me ruajtjen e mjedisit”, shtoi Bello.

Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana, Arjan Çukaj, theksoi rolin e këtij universiteti në mbushjen e hapësirave bosh të tregut të arsimit shqiptar dhe rëndësinë e Kursit të Investimit dhe Vlerësimit të Pasurive të Paluajtshme si koherent 
me tregun e punës dhe sektorët e ekonomisë.

“Që në krye të herës, Universiteti Metropolitan Tirana është menduar dhe formatuar për të qenë një universitet i cili do të mbushte ato hapësirat boshe që i mungonin arsimit në Shqipëri, do të ishte koherent me tregun e punës dhe sektorët e ekonomisë, e si i tillë është fokusuar në ato shkenca të cilat tregu i kërkon më shumë, paralelisht me një ekspertizë dhe aktivitete shkencore që u shërbejnë problematikave të ekonomisë në gjithë Shqipërinë. Prej vitesh kemi vendosur të ndërtojmë këtë kurs të arsimit pasuniversitar dhe David Allen ka qenë i pari që e ka sjellë këtë risi duke e ngritur në nivel shkencor e duke ofruar mundësi se si të jesh aktiv në këtë treg ku interesi është i madh”, tha Arjan Çukaj.

Kursi i Vlerësimit dhe Investimit në Pasuritë e Paluajtshme drejtohet nga eksperti britanik David Allen, një figurë e mirënjohur ndërkombëtare në fushën e “real estate”.


“Jemi në përfundim të kursit 20 javor me specialistë nga fusha e arktiekturës, ekonomisë dhe inxhinierisë. Arsyeja është se një pronë nuk mund të vlerësohet pa bashkimin e këtyre profesioneve. Ekonomistët e kanë të nevojshme të kenë informacion për strukturën, planimetrinë, planifikimin urbanistik. Por nga ana tjetër, nuk mund të funksionojë pa u vlerësuar tregu, si funksionojnë kërkesa dhe oferta, cilët janë faktorët që influencojnë ofertën. Ky është një profesion i ri, i cili në vitin 1992, kur erdha  unë në Shqipëri, nuk ekzistonte”, u shpreh Allen gjatë fjalës së tij.

Në këtë aktivitet mbajtën referimet e tyre mbi studimet e tregut, kapitalit, sfidat dhe avantazhet e këtij sektori Dr. Frida Pashako, Lefter Silla, Stela Dhami e Migena Zaçe, duke pasur në fokus zhvillimin e turizmit.