Një vit pas tërmetit të 21 shtatorit në Picallë është inaguruar shtëpia e familjes Stafa, e cila për shkak të dëmtimeve u shpall e pabanueshme. Rindërtimi i kësaj shtëpie është një kontribut i Universitetit Metropolitan Tirana, nën kujdesin e Presidentit Ing. Arjan Çukaj.

Gjatë vizitës në Picallë, ku familjes iu dorëzuan edhe çelësat e shtëpisë së re, i pranishëm ishte Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, deputeti i zonës Xhemal Qefalia, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës në UMT, Prof. Asoc. Dr. Emre Çeçen, pedagogët Fatlinda Struga dhe Fatjon Saliu, si edhe studentët Redion Lamaj dhe Kristian Veneti të cilët hartuan projektin arkitekturor të shtëpisë.

“Bashkë me stafin, me studentët që mundësuan projektin dhe me inxhinierët e Departamentit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Arkitekturës të Universiteti Metropolitan Tirana, iu përgjigjëm të parët thirrjes së bashkisë. Ishin të parët inxhinierët dhe pedagogët tanë që zbritën në terren për ekspertizën e të gjithë atyre godinave si edhe për të neutralizuar sado pak atë tronditje psikologjike që dha tërmeti i 21 shtatorit”, u shpreh Presidenti i UMT, Ing. Arjan Çukaj.

Më tej ai theksoi misionin social të universitetit, pasi nisma të tilla janë të vazhdueshme për institucionin dhe formimin e gjithëanshëm të studentëve.

“Më vjen mirë që nuk është rasti i parë që bëjmë donacione të tilla, e bëjmë këtë për të treguar që forca e solidaritetit është më e madhe se forca e tërmetit. Ne duhet të rrisim përgjegjësinë sociale të studentëve, para se të bëhen inxhinierë, arkitektë dhe financierë të mirë ata duhet të jenë qytetarë të mirë, ta vënë profesionin e tyre në funksion të së mirës publike. Jam shumë i lumtur dhe më vjen mirë që një familje sot do të ketë një strehë të bukur, të ngrohtë dhe mbi të gjitha të fortë”, përfundoi fjalën e tij Çukaj.



Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj falenderoi Universitetin Metropolitan Tirana për këtë donacion, si edhe për mbështetjen e vazhdueshme me ekspertizë shkencore ndaj strukturave të bashkisë.

“Jam i lumtur që e mbyllim këtë vit, pas tërmetit të 21 shtatorit, me 65 shtëpi të përfunduara me çelësa në dorë, lëmë çadrat dhe kontenierët dhe futemi në një shtëpi jashtëzakonisht më të mirë. Në një vend si Shqipëria është shumë e vështirë të bësh punë të mira, se për çdo punë që bën ka stërkëmbësha, intriga, thika pas shpine. Por pyetja është: Kush është i fokusuar dhe i çon punët deri në fund, dhe kush merret me llafe? Prandaj falenderoj Universitetin Metropolitan dhe Arjan Çukjan për kontributin e tyre”, u shpreh Veliaj.

Dekani i fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës në UMT, Prof. Asoc. Dr. Emre Çeçen u shpreh se përgjatë gjithë vitit të kaluar ka pasur një bashkëpunim të ngushtë mes Departamentit të Inxhinierisë së Ndërtimit në UMT dhe Bashkisë së Tiranës për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.



Rindërtimi i shtëpisë në Picallë është vetëm një ndër nismat që UMT ndërmori pas tërmeteve të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit 2019, pasi pjesë e rëndësishme e angazhimit ishin inspektimet e inxhinierëve në terren, ndihmat për familjet e dëmtuara dhe organizimi i një workshop-i shkencor ndërkombëtar për tërmetet. 


;ab_channel=UniversitetiMetropolitanTirana