Për të administruar në mënyrë sa më efiçente procesin e mësimdhënies online, Senati Akademik i Universitetit Metropolitan Tirana ka miratuar rregulloren e mësimdhënies në distancë. Siç edhe dihet, UMT ishte universiteti i parë shqiptar që në këtë situatë nisi procesin akademik online, përmes platformës universitare edu4schools dhe platformës GoToMeeting.

Në bashkëpunim me kompaninë përkatëse të kontraktuar, plotësohen kushtet për sigurinë e informacionit, për ruajtjen e privatësisë së studentëve dhe pedagogëve si dhe të drejtat e autorësisë.

Kjo rregullore u është dërguar në adresën elektronike të gjithë studentëve të Universitetit Metropolitan Tirana, ku parashtrohen në mënyrë të plotë aspektet e ndryshme të mësimdhënies online duke nisur nga leksionet, metodologjia e mësimdhënies online, marrëdhëniet dhe kontaktet e nevojshme që studentët mund të kenë me Departamentin e IT ose me Suportin e Studentit, procedurat e vlerësimit dhe monitorimin e këtij procesi të mësimdhënies online.

Gjithashtu Senati Akademik i UMT ka vendosur intensifikimin e veprimtarisë së Këshilltarëve Akademikë sipas axhendës së përditësuar nga Fakultetet dhe të miratuar prej tyre për zhvillimin e takimeve periodike online me grupet përkatëse të studentëve, por edhe takimet online mes Dekanateve dhe studentëve ku do të trajtohen kërkesat, sugjerimet dhe ankesat e studentëve. I gjithë procesi do të monitorohet nga Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë.

Prej dy muajsh, për shkak të pandemisë globale, studentët e Universitetit Metropolitan Tirana po vazhdojnë mësimin online, ku në çdo leksion pjesëmarrja e studentëve është mbi 85%. UMT i uron suksese të gjithë studentëve dhe shpreson në normalizimin sa më të shpejtë të situatës.