Presidenti i Republikës z. Ilir Meta dekoroi ish-Rektorin e Universitetit Metropolitan Tirana Prof.Dr. Ahmet Ceni (pas vdekjes) me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” me motivacionin “Në vlerësim të kontributit të shquar në jetën akademike me publikimet dhe punimet e çmuara shkencore dhe aplikative, në fushën e tregut të punës, të punësimit e të menaxhimit. Me mirënjohje ndaj ndikimit të rëndësishëm dhënë si ekspert i menaxhimit dhe ekonomisë, duke kontribuar në drejtimin e politikave ekonomike në vend, si dhe për punën e jashtëzakonshme e të palodhur në edukimin e brezave të rinj në auditoret e universiteteve shqiptare.”


Në një ceremoni me pjesëmarrjen e familjarëve të profesor Ahmet Cenit, drejtuesve dhe pedagogëve të Universitetit Metropolitan Tirana dhe Universitetit të Tiranës, Presidenti i Republikës vlerësoi maksimalisht kontributin shumëdimensional të profesorit, që ka mbajtur fillimisht detyrën e Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë në UMT, e më pas atë të Rektorit të Universitetit Metropolitan Tirana deri në ndarjen e parakohshme nga jeta.



Fjala e plotë e Presidentit të Republikës Ilir Meta:


Jam i nderuar që jemi së bashku, për të vlerësuar një personalitet shumë të njohur të botës akademike, një profesor të dashur e të respektuar nga kolegët, por edhe nga studentët, Prof. Dr. Ahmet Ceni.

Ai, fatkeqësisht nuk ndodhet më, mes nesh, për shkak të Covid-19, familjes i mungon bashkëshorti dhe prindi i shkëlqyer, ndërsa universitetit i mungon pedagogu i palodhur dhe drejtuesi vizionar e plot energji.  Prof. Dr. Ahmet Ceni ishte miku i të gjithëve, profesori i vlerave dhe njeri me zemër të madhe. Ai ia dedikoi jetën formimit të studentëve, në auditoret e universiteteve, duke mos u kursyer në angazhimin e tij shkencor e profesional.

Jeta e Prof. Cenit ka qenë e lidhur ngushtësisht me arsimin, edukimin dhe formimin e brezave të rinj, një pasion që e ndoqi deri në fund të jetës së tij. I rritur në një familje me tradita, Prof. Ceni u edukua me dashurinë për dijen dhe arsimin. Me këtë dashuri në zemër, ndoqi studimet universitare dhe ato të doktoraturës pranë Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, për të vazhduar më tej studimet e specializuara në Ekonomi, pranë Universitetit Grenoble në Francë. Prof. Ahmet Ceni ishte një nga pedagogët më të kualifikuar të fushës së ekonomisë, me titullin Profesor, një titull të cilin e nderoi deri në fund të jetës së tij dhe vazhdon ta nderojë në brezat e studentëve, të cilët e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje.

Kontributi i jashtëzakonshëm, në jetën akademike të vendit, i Prof. Ahmet Ceni fillon që në vitin 1978, si pedagog në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’, Shkodër, për të vijuar më pas, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, si pedagog dhe përgjegjës departamenti për disa vite.

Kontributi i Prof. Cenit u shtri përtej universitetit edhe me marrjen e disa posteve të larta qeveritare, si Zv.Ministër në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transporteve dhe atë të Punës dhe Çështjeve Sociale. Por, dashuria për mësimdhënien dhe studimin shkencor, e ktheu përsëri Prof. Cenin në auditore, në shtëpinë e tij të vërtetë, në Universitetin e Tiranës. Më pas ai ju bashkua familjes së madhe të Universitetit Metropolitan Tirana, fillimisht në pozicionin e Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, e më tej si Rektor i Universitetit, detyrë që e mbajti deri me ndarjen e tij të parakohshme nga jeta.

Kontributi i Prof. Cenit, në jetën akademike të vendit, është konsistent, me mbi njëqind artikuj dhe punime me karakter shkencor dhe aplikativ, në fushën e tregut të punës, të punësimit, të organizimit dhe të menaxhimit. Ai është autor tekstesh mësimore të niveleve Bachelor e Master, autor monografish, drejtues doktoratash dhe punimesh shkencore, si dhe pjesëmarrës në konferenca dhe revista të shumta shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Por, përtej vlerave të padiskutueshme dhe kontributit të pamohueshëm në fushën profesionale, Prof. Ahmet Ceni mbetet simbol i ndershmërisë dhe vlerave të rralla njerëzore.

Ai ishte njeri human, me karakter të qendrueshëm dhe të fortë, që e donte dhe e vlerësonte punën dhe mbi të gjitha, ishte i gatshëm në çdo moment të ndihmonte çdo koleg apo student të tij.

Me punën e tij si pedagog, Prof. Ahmet Ceni ka shenjuar jetën dhe karrierën e shumë të rinjve, që patën fatin të punonin më të dhe që e kujtojnë me respekt e dashuri.


Ju faleminderit!