Në datën 1 qershor studentët e Universitetit Metropolitan Tirana janë rikthyer në auditorë, pas një periudhe thuajse tre mujore mësimi online. Studentët e të tre cikleve të studimit rikthehen fizikisht në universitet për të përmbyllur punët praktike dhe ato laboratorike.

Stafi akademik ka zhvilluar një plan të ri mësimdhënieje, duke e përshtatur atë me nevojat e studentëve të rikthyer nga një eksperiencë mësimi online.

Duke vlerësuar maksimalisht shëndetin e studentëve dhe të stafit, UMT mori të gjitha masat për distancim fizik dhe për një mjedis të dezifektuar dhe sa më higjienik në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik.

Falë mundësive teknologjike dhe natyrës së ofertës akademike që zotëron, Universiteti Metropolitan Tirana ishte i pari që në situatën e krijuar aplikoi mësimdhënien online nëpërmjet platformës universitare edu4schools dhe GoToMeeting.

Mbi 2700 orë mësimi u zhvilluan në 2204 sesione online në tre fakultetet e UMT. Të gjitha materialet didaktike dhe leksionet e zhvilluara janë në dispozicion të studentëve, për t’i ndihmuar ata në përgatitjen e provimeve të sezonit.