Panairi “Work&Study” ka përmbyllur këtë të dielë edicionin e tij të 11-të duke u konfirmuar si një ndër eventet më të rëndësishme kushtuar arsimit të lartë dhe lidhjes së universiteteve me tregun e punës.

Si çdo vit, Universiteti Metropolitan Tirana ishte pjesë e këtij panairi, i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë, z. Nikolin Jaka së bashku me Zv.Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë zj. Aspasjana Kongo vizituan stendën e UMT duke vlerësuar rolin që institucioni ka në inovacion dhe sipërmarrje. Shumë të rinj gjatë këtyre viteve kanë kthyer idetë e tyre në startup-e dhe biznese të suksesshme të mbështetur nga Universiteti Metropolitan Tirana dhe Metropolitan Incubator.

Një mbështetje të tillë UMT e dha edhe në këtë panair, duke përqafuar idenë e studentit Klaudio Toto, i diplomuar në Inxhinieri Mekanike. Ideja e të cilit konsiston në ndërtimin e një palestre inteligjente “Innovative-Smart Gym/T-Power Engineering”.

Në ceremoninë e përmbyllëse, Përgjegjësi i Departamentit të Komunikimit dhe Marketingut në UMT, Erjon Uka, vlerësoi idenë inovative dhe premtoi se kjo do të zhvillohet më tej nga Metropolitan Incubator.

“Klaudio Toto është i diplomuar në Inxhinieri Mekanike dhe Universiteti Metropolitan është i njohur për profilet inxhinierike përgjatë kësaj decade. Por jo vetëm kaq, pasi përveç Fakultetit të Ekonomisë, pjesë e jona është edhe Metropolitan Incubator i cili aktualisht mbështet 18 startup-e. Në të njëjtën formë do të mbështesim edhe idenë e Klaudios, i cili pasi të kalojë fazat e aplikimit do të ketë mentorimin në planin e biznesit me ekspertët më të mirë por edhe në gjetjen e investitorëve për idenë e tij inovative”, u shpreh Erjon Uka.

Panairi “Work&Study” u zhvillua në datat 10-13 shtator në Pedonalen “Murat Toptani” në Tiranë në respektim të protokolleve të sigurisë shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.