Kurset e Sipërmarrjes Sociale, një projekt i Universitetit Metropolitan Tirana, Metroresearch dhe i bashkëfinancuar nga Agjencia Universitare e Frankofonisë u përmbyllën në mënyrë të suksesshme pas tre muajve intensivë trajnimesh.

Kurset u organizuan në formën e leksioneve online, trajnimeve, videove, materialeve të shkruara të ndara me studentët si edhe aktiviteteve praktike, ndërsa pjesëmarrja u ofrua tërësisht falas dhe ishte e hapur për të gjithë studentët, startup-et e reja dhe të interesuarit në fushën e sipërmarrjes sociale.

Kurset e Sipërmarrjes Sociale u zhvilluan në 3 module në muajt mars, prill dhe maj, në 24 seksione trajnimi në një total prej 60 orësh.

Lektorët e ftuar ishin ndër ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj në fushën e sipërmarrjes sociale dhe të temave specifike ndër të cilët Margaux Cosnier nga Franca, Dr. Ramaswami Balasubramaniam dhe Rajshri Deshpande nga India, Giuseppe Macca, Giulia Biselli, Kristina Touzenis, Silvia Scozia nga Italia dhe Zvicra, etj. Mbi 330 ishin të interesuarit për këto kurse, ndërsa 57 ndjekës të rregullt me prezencë mbi 95% përgjatë tre moduleve u certifikuan nga AUF dhe UMT.

Kjo “maratonë” trajnimesh nuk mbeti vetëm në kuadrin teorik, por në përfundim u përpunuan edhe pesë ide konkrete për sipërmarrje sociale të cilat mund të implementohen në të ardhmen: A Gift for You, OAZIS, Seedling Beauty Shop, Eat2Fit dhe Vivid Hope.

Pjesëmarrësit kanë vlerësuar maksimalisht organizimin dhe lektorët, duke krijuar edhe një ekosistem tashmë të ekspertëve të sipërmarrjes sociale në Shqipëri dhe në Kosovë.

“U njoha me Kurset e Sipërmarrjes Sociale nga njoftimi në rrjete sociale. Mendova ta provoja dhe vërtetë ia vlejti. Të gjitha kurset ishin të shkëlqyera, por unë do të përmendja veçanërisht mësimin që bëmë mbi etikën e biznesit. Punimet në grup që kemi bërë veçanërisht në Modelet Canvas ishin pika kryesore e kësaj përvoje. Faleminderit UMT për mundësinë dhe të gjithë profesorët për ndarjen e dijeve së tyre”, është shprehur Gasper Bushati i cili u certifikua nga UMT dhe AUF mbi sipërmarrjen sociale.

Edhe Leutrim Braha nga Kosova, që ndoqi kurset përgjatë periudhës tre mujore u shpreh se “Jam trajntuar me njohuri më të hollësishme dhe do të jetë baza në karrierën time. Me këtë rast falënderoj përzemërsisht Universitetin Metropolitan të Tiranës dhe Agjencinë Universitare të Frankofonisë që më dhanë mundësinë të jem një nga pjesëmarrësit.”


Projekti me AUF është vetëm një ndër aktivitetet dhe partneritetet e shumta që ndërtohen nga UMT me bashkëpunëtorë ndërkombëtarë, përmes ekspertizës së Zyrës së Projekteve (Drejtoria e Komunkimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë). Aktualisht, shumë projekte të tjera si MARDS - Reforming doctoral studies in Montenegro and Albania, Smart4All pjesë e Horizon2020, Metropolitan Innovation Center, Psychological Consultation for Students (AUF), Bologna Hub Peer Support (ERASMUS+ KA3), Support for the professional French system (AUF) dhe shumë bashkëpunime me mbi 30 universitete në Europë në kuadër të programit Erasmus+ dhe jo vetëm, po zbatohen nga UMT.