Projekti i Universitetit Metropolitan Tirana në fushën e sipërmarrjes sociale është shpallur fitues në thirrjen e krijuar nga Agjencia Universitare Frankofone (AUF). Në këtë mënyrë, UMT është universiteti i vetëm shqiptar që do të marrë mbështetjen e AUF-së përgjatë vitit akademik 2020-2021.

Si pjesë e sistemit të mbështetjes për zhvillimin e sipërmarrjes sociale në universitet, Universiteti Metropolitan do të ofrojë kurse falas online në fushën e sipërmarrjes sociale. Përmbajtja e kurseve do të organizohet në formën e leksione live, trajnimeve, videove, materialeve të shkruara të ndara me studentët, si edhe aktiviteteve praktike.

Qëllimi i këtyre kurseve është të orientojë përpjekjet e studentëve drejt sipërmarrjes sociale dhe inovacionit, ndërsa mësimdhënia do të zhvillohet nga profesorë me eksperiencë në këtë fushë nga Fakultetet e Ekonomisë të Universitetit Metropolitan Tirana dhe i Universitetit të Tiranës, si edhe ekspertë të “Metroresearch” dhe “Partners Albania for Change and Development”.

Gjithashtu edhe profesorët francezë do të ftohen si ligjërues për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tyre me studentët shqiptarë. Këto kurse online do të jenë të hapura falas për të gjithë studentët, sipërmarrësit dhe të interesuarit. Kurset do të zhvillohet në periudhën mars-maj 2021.

Në fund të të gjitha moduleve studentët do të pajisen me një certifikatë që vërteton njohuritë e tyre. Vetëm studentët që marrin pjesë në 95% të leksioneve dhe aktiviteteve do të marrin një certifikatë nga Universiteti Metropolitan Tirana dhe Universiteti i Tiranës.

Duke konsideruar nevojën dhe d  omosdoshmërinë e mësimit në distancë për shkak të pandemisë së koronavirusit, trendit në rritje të të mësuarit online, rritjen e impaktit të vullnetarizmit, arritjen e objektivave globale të zhvillimit të qëndrueshëm përmes rritjes ekonomike dhe cilësisë së arsimit, si edhe ndikimin e sipërmarrjeve sociale në shoqëri, realizimi i këtij kursi u pa si një domosdoshmëri për një universitet sipërmarrës dhe inovativ si Universiteti Metropolitan Tirana.

Aktivitetet, Trajnimet dhe Krijimi i Rrjetit të Njohjeve janë 3 shtyllat kryesore ku sipërmarrësit socialë në Shqipëri përqendrojnë përpjekjet e tyre për të rritur biznesin e tyre social. Ata përqendrojnë 52.4% - 59.5% (sipas “Partners Albania”) të përpjekjeve të tyre në secilin nga këto prioritet. Sa i përket rëndësisë së tyre, këto kurse online do të shërbejnë si një ndihmë e parë për sipërmarrësit socialë të cilët janë të etur të mësojnë më shumë për zhvillimin e bizneseve të tyre dhe rritjes së impaktit që ata kanë në shoqëri.

Çfarë synon ky projekt?

Me këtë nismë të mbështetur nga Agjencia Universitare Frankofone, UMT synon të realizojë objektivat e mëposhtme:

1. Rritjen e ndërgjegjësimit për ndikimin e sipërmarrjes sociale në shoqëri dhe ekonomi;

2. Pajisjen e pjesëmarrësve në kurs me njohuri të plota dhe aftësitë e kërkuara për të krijuar një biznes social duke nxitur frymën sipërmarrëse;

3. Të krijojë zgjidhje ndaj pyetjeve kryesore të modeleve të biznesit dhe ndikimit që ai do të ketë në shoqëri. Këto përgjigje mund të përdoren për të shkallëzuar ndikimin e sipërmarrësve duke i bërë të ecin përpara;

4. T’u mësojë studentëve të realizojnë një video cilësore që të përmbledhë punën tyre, për t’ua prezantuar partnerëve dhe përdoruesve të mundshëm;

5. Të krijojë lidhje të reja me sipërmarrës të tjerë socialë në rajon dhe më gjerë;

6. Të orientojë studentët te thirrjet, programet dhe portalet që ofrojnë fonde me synim mbështetjen e sipërmarrjes sociale në BE dhe në mbarë botën;

7. Mësimi i sipërmarrësve se si të bëjnë një plan biznesi social, një hulumtim tregu dhe një kërkesë për financim.