Ditën e enjte më 22 prill është mbajtur ceremonia e firmosjes së memorandumit për krijimin e Tirana INC, një inciativë e pesë universiteteve shqiptare për të ndërtuar inkubatorin e parë multi-universitar për studentët që dëshirojnë të zhvillojnë aftësitë e tyre sipërmarrëse përmes iniciativave start-up.

Tirana INC. krijohet me nismë kryesore të EU for Innovation, implementuar nga GIZ Albania dhe Preneurz Amsterdam, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Misioni i Tirana INC. është që në tre vjet të jetë destinacioni kryesor për studentët ambiciozë që duan të krijojnë kompanitë e tyre të biznesit. Pesë universitetet themeluese janë Universiteti Metropolitan Tirana, Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Universiteti Epoka dhe Universiteti Polis.

Në lidhje me krijimin e Tirana INC., Rektori i UMT, Prof. Dr. Gëzim Karapici vlerësoi inciativën e vazhdueshme të Eu for Innovation dhe të partnerëve të tjerë europianë në ndihmën dhe ekspertizën që i japin ekosistemit të inovacionit në Shqipëri. Gjithashtu ka siguruar se UMT do të kontribuojë aktivisht në krijimin e praktikave më të mira për këtë inkubator biznesi, bazuar edhe në eksperiencën e Metropolitan Incubator, inkubatorit të parë brenda një kampusi shqiptar.

“Siç mund të jeni në dijeni, në vitin 2016 krijuam inkubatorin e parë brenda një kampusi universitar, Metropolitan Incubator, i cili sot është kthyer në pikë referimi për të rinjtë, për komunitetin e startup-eve si edhe për të pasionuarit pas teknologjisë dhe inovacionit. Ato sfida që kemi kaluar në ngjizjen e një ekosistemi të tillë brenda Universitetit Metropolitan dhe ekspertizën që kemi përftuar gjatë viteve, jemi të lumtur që ta bashkëndajmë në këtë projekt unik dhe prestigjioz si Tirana INC. Bashkëpunimi me partnerët europianë, me EU for Innovation, GIZ dhe Preneurz është një garanci për zbatimin e praktikave më të mira perëndimore, por gjithashtu edhe vazhdim i eksperiencave të suksesshme të projekte të mëparshme. Vetëm pak muaj më parë inaguruam Qendrën e Inovacionit Metropolitan, si një qendër e specializuar për kërkimin shkencor të orientuar drejt nevojave të tregut, e aksesueshme nga kërkuesit shkencorë në fushat inxhinierike me pajisje laboratorike moderne. Disa madje edhe unike në Shqipëri. Ky projekt do të ishte shumë i vështirë pa mbështetjen e EU for Innovation, ndaj gjej rastin t’ju falenderoj sërish”, është shprehur ndër të tjera Prof. Dr. Gëzim Karapici.

Në fjalën e tij të mirëseardhjes, z. Damiani, përfaqësues i delegacionit europian në Shqipëri, përshëndeti iniciativën e përbashkët të universiteteve dhe gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar dhe mbështetur ekipet e studentëve. Dr. Jacqueline Jaspert, udhëheqëse e ekipit të BE-së për Inovacionin, bëri një përmbledhje të ndërhyrjeve kryesore që synojnë universitetet, të tilla si Hackathons me evente të inovacionit; disa seri me masterclass mbi "Universitetet Sipërmarrëse" dhe "Mësimdhënien e Sipërmarrjes" etj, duke theksuar faktin se universitetet janë palët në këtë ekosistem.

Të pranishëm në ceremoninë e firmosjes së memorandumit ishin Prof. Dr. Gëzim Karapici – Rektor i Universitetit Metropolitan Tirana, Prof. Dr. Andrea Maliqari - Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Fatmir Memaj / Zëvendës Dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Güngör Turan - Rektor i Universitetit EPOKA, Prof. Dr. Besnik Aliaj – Rektor i Universitetit Polis.

Startimi zyrtar dhe publik i Tirana INC. do të zhvillohet të Enjten 29.04.2021 në 17.00 PM, si një event online. Mund të ndiqni Tirana INC. në Facebook për më shumë lajme dhe përditësime në lidhje me këtë nismë të përbashkët të universiteteve shqiptare.