Nëse jeni nxënës apo studentë dhe keni një ide biznesi individuale a në grup, është ky momenti i duhur: Start-Up City ka hapur aplikimet në edicionin e tij të katërt!

Një iniciativë unike për fuqizimin dhe aplikimin e ideve të biznesit nga ana e nxënëse dhe studentëve, Start-Up City vjen si organizim i përbashkët i Universitetit Metropolitan Tirana, Metropolitan Incubator dhe Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

Ideja më e mirë do të vlerësohet me çmimin 2500 euro duke u mbështetur nga Metropolitan Incubator për implementimin e saj në treg. Çmime janë rezervuar edhe për idenë e dytë më të mirë, e cila shpërblehet me 1000 euro, ideja e tretë me ofrimin e mentorimit dhe inkubimit në Metropolitan Incubator. Gjithashtu për triumfuesin në çmimin “Sipërmarrësi Individual” ofrohet një bursë e plotë studimi në Universitetin Metropolitan Tirana. Fitues do të ketë edhe në kategoritë “Best Pitch” dhe “Best Woman Entrepreneur”.

Risia e këtij viti është bashkëpunimi me EU for Innovation dhe World Business Angels Forum Albania - WBAF Albania, që hap dyert për një gamë të gjerë mundësish shumëpalëshe për bizneset e reja shqiptare, të shkallëzuara dhe me rritje të lartë për t'u angazhuar me tregjet globale dhe investitorët e huaj.

Përgjatë tre edicioneve të kaluara të Start-Up City kanë marrë pjesë më shumë se 500 të rinj, janë prezantuar mbi 80 ide biznesi, ku fituesit ndër vite si “Concept Marketing Albania”, “T-Bot” apo “Romix” operojnë tashmë suksesshëm në treg.

Juria e Start-Up City është përbërë ndër vite nga emra të njohur të sipërmarrjes, politikëbërjes, akademisë dhe organizatave, si ish-Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë Nikolin Jaka, Sekretarja e Përgjithshme e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë Ardita Seknaj, Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana Arjan Çukaj, Zv/Dekani i Fakultetit të Ekonomisë-UT Alban Korbi, CEO i Sigal Pension Elvis Ponari etj.

Aplikimet janë të hapura deri në datën 29 prill dhe detajet gjenden duke klikuar në link: https://umt.edu.al/start-up-city. Gjatë muajit maj do të zhvillohen 2 bootcampe për finalistët e Start-Up City 4 dhe eventi gala do të zhvillohet në datën 25 maj.