Ofertës akademike të Universitetit Metropolitan Tirana i shtohen edhe dy programe të reja profesionale dy-vjeçare për vitin e ri akademik 2020-2021. Programet e reja janë “Dizajn dhe Zhvillim Software” dhe “Sistem dhe pajisje elektrike”, pjesë e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe IT.

Studentët në këto programe do të përftojnë dije praktike në fushat përkatëse dhe janë krijuar në një moment kur tregu i punës kërkon specialistë të kualifikuar si në fushën e programimit, ashtu edhe në fushën e elektrikës dhe elektronikës.

Këto programe ofrohen në një mjedis të teknologjisë së lartë siç është Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe IT në Universitetin Metropolitan Tirana, me gjashtë laboratorë me pajisje unike në Shqipëri dhe një staf akademik ndërkombëtar, me profesorë nga Greqia, Turqia, Maqedonia e Veriut etj., që kanë një karrierë të gjatë jo vetëm akademike, por edhe profesionale në bashkëpunim me disa prej kompanive më prestigjioze në treg.

Në programin “Dizajn dhe Zhvillim Software” studiohen disa prej gjuhëve më të përdorura të programimit si C, Java, HTML/CSS, PHP, SQL dhe Shell Script, duke u aftësuar si në programimin në Web ashtu edhe në programimin mobile, por edhe në menaxhimin e bazave të të dhënave dhe sistemeve operative. Studentët e diplomuar në këtë program, do të kenë mundësi të punojnë në kompani që merren në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e aplikacioneve, por edhe në institucione si banka, kompani sigurimesh, në departamentet e IT-së në kompani të ndryshme publike dhe private, në industrinë e lehtë dhe të rëndë, por gjithashtu mund të punojnë freelance jo vetëm brenda vendit por edhe në një treg global përmes platformave që e ofrojnë këtë mundësi.


Nga ana tjetër, programi profesional “Sisteme dhe pajisje elektrike” është hartuar duke u përshtatur shpejt me tregun e punes dhe duke implementuar ndyshimet e shpejta të teknologjive të fushës se elektricitetit. Kjo vjen si rrjedhojë e përgatitjes së teknikëve elektrikë me njohuri të shumta laboratorike mbi fusha te ndryshme studimi të elektricitetit me qëllim finalizimin e një karriere të mirë-paguar dhe të sigurtë. Studentët në këtë program fokusohen veçanërisht në analizën dhe dizenjimin e qarqeve elektrike, në sistemet automatike, dizenjimin e sistemeve elektronike analoge dhe dixhitale, aftësimin mbi metodat e përllogaritjeve përmes programeve simulues etj.


Tashmë me pesë programe profesionale, përkatësisht “Dizajn Grafik”, “Topografi dhe GIS”, “Menaxhim në Hoteleri, Turizëm dhe Evente”, “Dizajn dhe Zhvillim Software”, “Sistem dhe pajisje elektrike”, Universiteti Metropolitan Tirana ka një paketë të konsoliduar akademike jo vetëm në ciklin bachelor dhe master, por edhe në programet profesionale, në koherencë të plotë me trendet e zhvillimeve të tregut të punës dhe ekonomisë në Shqipëri.