Më 28 tetor fillon Kursi i Vlerësimit dhe Investimit në Pasuritë e Paluajtshme në UMT. Regjistrimet janë të hapura për të gjithë ekonomistët, inxhinierët dhe arkitektët që duan të licensohen si vlerësues pasurie.

Ky kurs pasuniversitar ofrohet prej më shumë se gjashtë vitesh në bashkëpunim me ekspertin britanik David Allen, i cili çdo vit sjell praktikat dhe risitë më të fundit në këtë sektor. David Allen është një figurë e njohur në rang ndërkombëtar në fushën e Pasurive të Paluajtshme, anëtar i shoqatës së njohur të vlerësuesve “RICS”.

Kursi i Vlerësimit dhe Investimit në Pasuritë e Paluajtshme (KVIPP) është i njohur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Ky kurs është unik në llojin e tij, pasi përveç vlerësimit i aftëson studentët edhe me njohuritë për parashikime mbi vlerën e pritshme të pasurive të paluajtshme si pasojë e një investimi.

Lektorët në këtë kurs janë figura të njohura të botës akademike dhe të fushës së pasurive të paluajtshme si Përgjegjësi i Departamentit të Inxhinierisë së Ndërtimit në UMT Dr. Nikolla Nika, ish-kryetarja e Shoqatës së Vlerësuesve të Pasurive të Paluajtshme zj. Mirela Behluli, Zëvendësdekania e Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës zj. Fatlinda Struga, Drejtori i Vlerësimit dhe Modelimit Financiar në Deloitte z. Anton Lezhja, pedagogia e inxhinierisë së ndërtimit zj. Diana Bardhi, Prof. Asoc. Dr. Sopot Cama apo ish-drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Ndërtimit Dr. Artur Roshi.

Studentët që kanë ndjekur këtë kurs ndër vite në Universitetin Metropolitan Tirana kanë mundur të licensohen si vlerësues të pasurive të paluajtshme duke punuar si profesionistë të lirë, specialistë në zyrat e shoqërive imobiliare, në bankat e nivelit të dytë, në shoqëritë e sigurimeve apo të ndërtimit, në zyrat publike dhe të urbanistikës etj.

Kursin mund ta ndjekin të diplomuarit në ciklin bachelor dhe master në programet e Inxhinierisë, Arkitekturës, Ekonomisë dhe Drejtësisë, ndërsa personat që do të aplikojnë për licencë duhet të kenë përfunduar studimet master në Inxhinieri, Arkitekturë dhe Ekonomi.

Të interesuarit për ta ndjekur këtë kurs pasuniversitar që zgjat 20 javë, mund të kontaktojnë me Zyrën e Pranimeve në UMT përmes numrit 0692591493.