Situata e pandemisë globale shkaktoi paqartësi dhe pasiguri për të ardhmen në sistemin arsimor, duke sjellë kalimin e proceseve akademike nga auditorët në platformat online. Universiteti Metropolitan Tirana ishte universiteti i parë që në muajin mars, menjëherë pas masave të njoftuara nga Këshilli i Ministrave, kaloi gjithë procesin online përmes platformës universitare edu4schools dhe GoToMeeting.

Por teksa jemi në fund të këtij viti akademik dhe shumë shpejt do të fillojë viti i ri 2020-2021, është parë e nevojshme që hartohen disa strategji për persosjen e procesit të mësimdhënies online dhe për t’i paraprirë çdo situate të re që mund të vijë për shkak të pandemisë.

Për këtë arsye, Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë në UMT nën drejtimin e Zëvendësrektorit Prof. Dr. Nikolla Civici ka hartuar një anketë të plotë dhe gjithëpërfshirëse me studentët e universitetit që ndoqën mësimin online, rezultatet e së cilës tashmë janë përpunuar duke nxjerrë përfundime interesante që do të udhëheqin UMT-në në të ardhmen. 81,8% e studentëve thonë se nuk kanë pasur asnjë vështirësi për instalimin dhe përdorimin e platformës GoToMeeting, ndërsa 82% e tyre platformat e përdorura i kanë vlerësuar me “mirë” dhe “shumë mirë”. 

50% e studentëve janë shprehur se ushtrimet zgjidhen në mënyrë të kuptueshme në disa lëndë, ndërsa 45% thonë për të gjitha lëndët. Nga ana tjetër, mbi 82% e studentëve shprehen se pas mësimit online kanë gjetur të gjitha të dhënat si mungesa, materiale didaktike, detyra apo projekte në platformën universitare online. 76,4% e studentëve përgjigjen se kanë pasur mundësi ta pyesin pedagogun gjatë orës së mësimit online, një shembull ky i arritjes së kënaqshme të bashkëveprimit gjatë orës së mësimit.


Nga ana tjetër, studentët janë shprehur të kënaqur me strukturat mbështetëse akademike dhe administrative, që nga këshillimet me Këshilltarin Akademik, ndihmën nga Koodinatorja e Fakultetit, asistencën nga Shërbimi ndaj Studentët dhe Sekretaria Mësimore si edhe nga Departamenti i Teknologjisë së Informacionit që ka ndjekur gjithë mbarëvajtjen e procesit online, me një vlerësim që i kalon në të gjitha rastet 85%. Gjithashtu, pajisja me laptop personal të të gjithë studentëve në fillim të vitit akademik, dëshmoi se ishte një ndihmë e domosdoshme infrastrukturore për studentët, duke u siguruar akses të barabartë.

Por nga rezultatet e kësaj ankete do të ngrihet edhe strategjia e re e UMT. 91% e studentëve pohojnë se kanë kryer detyra ose teste online të paktën në një lëndë, ndërsa 51% shprehen se preferojnë testimin fikisht në universitet. Studentët janë përballur edhe me vështirësi, pasi rreth gjysma e tyre shprehen se e kanë ndjekur procesin nëpërmjet celularit. 64,4% shprehen se cilësia e internetit ishte e mjaftueshme për ndjekjen e leksioneve, ndërsa 35,6% thonë se cilësia e internetit nuk ishte e duhura.



Kjo bën që UMT për vitin e ri akademik, nëse situata pandemike vijon të jetë rrezik për shëndetin e studentëve dhe të stafit, të aplikojë mësimin hibrid si një ndërthurje mes leksioneve online dhe testimeve në universitet, duke respektuar të gjitha rregullat për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Puna për këtë gjë ka nisur që tani, për të siguruar cilësinë maksimale akademike për studentët në të treja fakultetet dhe për t’i dhënë zgjidhje problematikave që ata kanë parashtruar.

Gjatë periudhës maj-qershor, në UMT janë zhvilluar 2,700 orë mësimi online, në 2,204 sesione dhe mbi 30,000 klikime në platformën GoToMeeting, ndërsa studentët kanë pasur mundësinë e aksesit në çdo moment të arkivës së leksioneve në platformën universitare edu4schools.

Për të lexuar raportin e plotë, mund të klikoni këtu.