Studentët e diplomuar ndër vite dhe suksesi i tyre profesional është prova më e mirë e përkushtimit dhe punës së çdo universiteti. Në 10 vjetorin e Universitetit Metropolitan Tirana, në një ceremoni mes studentësh, pedagogë, drejtues institucionesh të rëndësishmë dhe ambasadorë u kujtuan momentet më të mira gjatë këtyre viteve.

Me eksperiencën e tij të gjatë, profesor Gëzim Karapici ka bërë të mundur që UMT sot të jetë një universitet lider në fushën e shkencave ekzakte dhe inxhinierike.

“Nga pozicioni i rektorit, unë ndihem mëse krenar kur shikoj ato që kemi arritur të bëjmë, duke plotësuar synimet që parashikon një institucion i arsimit të lartë. Misioni i universiteteve mbështetet mbi tre shtylla të rëndësishme, mësimdhënie cilësore, kërkim shkencor dhe kontributi në shoqëri”, tha ndër të tjera Prof. Dr. Gëzim Karapici, Rektor i Universitetit Metropolitan Tirana.

Presidenti i UMT, Arjan Çukaj falenderoi të gjithë bashkëpunëtorët e universitetit Metropolitan përgjatë kësaj dekade të parë, si edhe lajmëroi dy projekte të reja ambicioze.

“Jam shumë krenar, shumë i inkurajuar për të vazhduar gjithë përpjekjen 10-vjeçare sepse edhe sfida jonë është rritur. Nuk duam të jemi vetëm një institucion që përgatisim vetëm profesionistë, por duam që aktiviteti shkencor të jetë kryefjala. Së fundmi kemi arritur marrëveshje me Universitetin ESIEE Paris, një nga katër universitetet më të mira sipas rankimit të Shangait për shkencat matematike, në ofrimin e dy masterave të përbashkët në fushën e inteligjencës artificiale. Kësaj familje do t’i shtohet edhe kampusi i ri universitar, një projekt që po hartohet nga një studio prestigjioze”, tha ndër të tjera Arjan Çukaj.

Pjesëmarrës në këtë event ishte kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ai shprehu mirënjohje ndaj Universitetit Metropolitan për bashkëpunimin e ngushtë në projekte të ndryshme në kryeqytet, por edhe ekspertizën e ofruar gjatë periudhës së tërmetit.

“Ishte muzikë për veshët e mi të dëgjoja se si në këto dhjetë vite gjysmën e rrugëtimit e kemi bërë së bashku në këto dhjetë vite, ka qenë i jashtëzakonshëm. Siç thoshte Kennedy, nëse do të vlerësosh një universitet nuk matet nga notat, por nga impkti që të diplomuarit lënë në shoqëri. Kemi pasur shumë bashkëpunime të mira, sidomos me ata që studiojnë shkencat ekzakte, inxhinieri, sidomos gjatë periudhës së tërmetit”, tha Veliaj.
Jo vetëm studentët Alumni u nderuan me çmime të ndryshme, por edhe profesorët që kanë lënë më shumë gjurmë në kujtesën e studentëve, ndërsa Çmimi për Impaktin Social iu akordua ambasadorit të Çekisë, z. Jaroslav Ludva.

Çmimet UMT Alumni 2021:

ÇMIMI I EKSELENCËS NË EDUKIM - Elsa Matija dhe Igli Hyka

ÇMIMI ALUMNI I SHQUAR - Eduina Muceku

ÇMIMI I KARRIERËS – Endri Nasufi

ÇMIMI I KONTRIBUTIT ALUMNI – Ana Abdi dhe Kamila Kolumcaj

ÇMIMI “PROFESORI IM” - Prof.Asoc. Dr. Sopot Cama

ÇMIMI UMT PËR IMPAKTIN SOCIAL - SH.T. Z. Jaroslav Ludva