Ky aktivitet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, bashkoi profesionistë dhe rekrutues të 45 kompanive më të medha dhe më prestigjioze të vendit, të interesuara për profilet dhe cilësinë e studentëve që formohen në UMT dhe më gjerë duke filluar nga shkencat komputerike, arkitektura, inxhinieria e ndërtimit, ekonomia dhe marketingu.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe IT, Prof. Dr. Ligor Nikolla duke falenderuar të gjithë kompanitë pjesëmarrëse, u shpreh se është në vizionin e UMT lidhja sa më e ngushtë e procesit pedagogjik me atë të profesionalizimit të studentëve në kompanitë e mëdha, brenda dhe jashtë vendit, nëpërmjet internshipeve dhe punësimit dhe kjo falë jo vetëm tipologjisë së programeve që ofrohen nga Fakulteti i Shkencat Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, i Arkitekturës dhe ai i Ekonomisë, por dhe krijimit të urave të qendrueshme me kompanitë nëpermjet krijimit të klubit të ndërmarrjeve partnere të UMT.




“Ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për ne si universitet, sepse krijojmë mundësinë e internshipeve për studentët tanë, por edhe për stafin tonë duke rritur mundësinë e kontakteve të vazhdueshme me avancimin e teknologjisë dhe të problematikave të kompanive, si dhe përditësimin e vazhdueshëm të kurrikulave dhe të njohurive që u përçohen studentëve”, tha gjatë fjalës së tij profesor Ligor Nikolla.

Ai u shpreh se vazhdimësia e këtij eventi të përvitshëm dhe rritja e numrit të kompanive pjesëmarrëse, janë prova më e mirë që kompanitë gjejnë në UMT studentë që u përgjigjen plotësisht kërkesave të tyre.

UMT vjen me një ofertë unike akademike në vend, me studime bachelor, profesionale, master dhe doktoraturë në shkenca kompjuterike, inxhinieri ndërtimi, arkitekturë dhe ekonomi. Gjatë studimeve në UMT, përveç njohurive të marra në auditor, nje rëndësi e veçantë u jepet praktikave si në laboratore, ashtu edhe në kompani ku përmes internshipeve 4-6 mujore, studentët hedhin hapat e parë të karrierës së tyre në profesionin e zgjedhur.

Pjesëmarrës në këtë panair ishin pikërisht kompanitë dhe institucionet nga sektori bankar, sektori i telekomunikacionit, kompanitë e projektimit arkitektonik dhe ndërtimit, nga tregu i sigurimeve si edhe organizata ndërkombëtare si UNICEF dhe Eu For Innovation me të cilët Universiteti Metropolitan Tirana ka marrëveshje bashkëpunimi/ komunikim të vazhdueshëm në kuadër të internshipeve për studentët.

Në vazhdim të punës për të forcuar rolin e tij në inovacion dhe sipërmarrje, Universiteti Metropolitan Tirana inkurajon studentët t'i shndërrojnë idetë e tyre në startupe dhe biznese duke i mbështetur financiarisht dhe promovuar aftësitë e tyre.