Start-Up City, festivali i ideve të biznesit i kthyer në referencë për të rinjtë shqiptarë, përmbylli edicionin e tij të katërt. Pas një organizimi tre mujor ku aplikuan 62 ide biznesi nga nxënës dhe të rinj, në ceremoninë finale u kurorëzuan edhe fituesit e këtij edicioni, të organizuar si çdo vit nga Universiteti Metropolitan Tirana dhe partnerët.

E ftuar në këtë event ku u shpallën 8 idetë më të mira sipas kategorive, ministrja për Fëmijët dhe Rininë Bora Muzhaqi vlerësoi aktivitetin, duke shprehur se sektori është në vëmendjen e veçantë të qeverisë.



“Lajmi i mirë është që ne tashmë e kemi një ligj për startup-et dhe lajmi akoma më i mirë është hapja e thirrjes së parë për startup-et në Shqipëri. Kjo është një nismë e bukur, e prandaj jemi këtu për të mbështetur të gjitha iniciativat promovuese të startup-eve. Kemi shumë bashkëpunime me UMT, dhe me universitete të tjera në vend sepse qeveria është në të njëjtën linjë për zhvillimin e këtij sektori”, tha ndër të tjera Bora Muzhaqi.

Pjesë e ceremonisë finale ishte edhe kryetari i komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Eduard Shalsi. Si anëtar i jurisë në edicionin e kaluar të Start-Up City, Shalsi motivoi të rinjtë duke thënë se dështimi është pjesë natyrale e suksesit të tyre, ndaj duhet të vazhdojnë me këmbëngulje deri në realizimin e ideve.



“Ju përgëzoj të gjithëve që keni arritur të paraqisni projekte dhe ide. Dua t’ju them se eksperienca botërore tregon se 95% e startup-eve dështojnë, por në fakt nuk ka një shembull të vetëm të një startup-i të suksesshëm në botë që të mos ketë njohur gjatë rrugëtimit të tij edhe dështimin. Prandaj vijoni të këmbëngulni me pasion”, u tha Eduard Shalsi pjesëmarrësve.

Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana, Arjan Çukaj, tha se ky ishte viti me numrin më të lartë të aplikimeve, duke treguar edhe dëshirën që të rinjtë kanë për sipërmarrjen.



“Dëgjuam dhe pamë ide cilësore dhe inovative. Start-Up City 4 ishte dukshëm në një nivel më të lartë. Ne si universitet, si organizator na u desh t’u jepnim dy ekipeve bursa të plotë studimi në Universitetin Metropolitan Tirana, pasi juria kishte vështirësi përzgjedhjeje dhe kjo është shenjë e cilësisë së lartë. Në universitet, kemi mjedisin e përshtatshëm për zhvillimin e këtyre ideve, përmes Metropolitan Incubator apo zyrës në Shqipëri të WBAF, rrjetit global të investitorëve engjëj”, u shpreh Arjan Çukaj, i cili akordoi çmimin “Individual Entrepreneur Award” për dy ide, “The Automatic Drawers” dhe “Ray of Self”.



Çmimi i parë u fitua nga Marlin Nano dhe Leart Qefalia me idenë “The Automatic Drawers”, të cilët do të përfitojnë 2500 euro mbështetje për idenë e tyre. “Student Life” nga Amarilda Koka fitoi çmimin e dytë me 1000 euro, ndërsa çmimi i tretë nga “Diversi8”, Danjela Kadiu.



Gjatë eventit përshëndetën me fjalën e tyre edhe fitues të vitëve të tjera të Start-Up City, që tashmë operojnë suksesshmë në treg. Start-Up City organizohet nga Universiteti Metropolitan Tirana, Metropolitan Incubator, WBAF, Metsinc dhe Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Partnerë zyrtarë në këtë edicion ishin EU for Innovation, GIZ Albania, TUMO Tirana, Business Magazine dhe Albania Tech.


Lista e ideve fituese:

Çmimi i parë: The Automatic Drawers.

Çmimi i dytë: Student Life

Çmimi i tretë: Diversi8

Best Pitch: Dentisti im

Best Woman Entrepreneur: Danja’s raspberries

Best Teen: Ray of Self

Best Social Entrepreneur: 3R

Individual Entrepreneur Award-  bursë studimi 100% në Universitetin Metropolitan Tirana: The Automatic Drawers dhe Ray of Self.