Në kuadër të bashkëpunimit mes Universitetit Metropolitan Tirana (UMT) dhe Université Paris-Est Créteil (UPEC) në Francë është zyrtarizuar marrëveshja për një projekt të përbashkët akademik dhe shkencor, pjesë e programit Erasmus+. (Link: https://intranet.u-pec.fr/upec... )

Falë këtij partneriteti përgjatë dy viteve të ardhshme do të zhvillohen mobilitete të ndërsjellta mes stafeve akademike të dy institucioneve, ku pedagogë të Universitetit Metropolitan Tirana do të angazhohen pranë UPEC dhe gjithashtu pedagogë nga universiteti francez do të zhvillojnë aktivitetin e tyre akademik dhe kërkimor në Universitetin Metropolitan Tirana.

Konkretisht mobilitetet e parashikuara janë:

-4 shkëmbime për stazh 6 muaj nga UMT në UPEC.
-2 shkëmbime 7-ditore për pedagogë nga UMT në UPEC.
-1 shkëmbim stazh 6 muaj nga UPEC në UMT.
-7 shkëmbime 7-ditore pedagogësh nga UPEC në UMT.

Kjo marrëveshje mes UMT dhe UPEC në Francë përqëndrohet si në bashkëpunimin ndërmjet laboratorëve kërkimorë të dy universiteteve, ashtu edhe në mbështetjen për krijimin e një masteri të delokalizuar te UPEC në Universitetin Metropolitan Tirana në fushën e Inteligjencës Artificiale, Data Science dhe Cyber-Physical System i cili do t’ju propozohet studenteve te masterit M1 që këtë vit akademik, 2020-2021. Studentët e regjistruar në këtë master do të kenë të drejtat dhe atributet e studenteve  të universitetit Francez UPEC si dhe diploma e marrë mbas mbarimit të vitit të dytë të masterit (M2) do të jetë franceze e po këtij universiteti.

    UPEC është një ndër institucionet më të mëdha ndërdisiplinore universitare në Paris. Ky institucion i arsimit të lartë përfshin 16 fakultete, shkolla dhe institute, 33 qendra kërkimore, mbi 36 mijë studentë dhe 1,600 profesorë dhe kërkues shkencorë.

    Marrëveshja me UPEC është një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Universitetit Metropolitan Tirana. Aktualisht UMT numëron mbi 21 partnerë europianë, ku studentët, stafi akademik dhe ai administrativ kryejnë shkëmbime në kuadër të programit Erasmus+ në universitetet në Çeki, Itali, Bullgari, Letoni, Poloni, Portugali, Spanjë dhe Rumani.

    Gjithashtu pjesë e UMT është “Metropolitan Innovation Center” një strukturë që mbështet kërkimin shkencor, krijimi i së cilës është bashkëfinancuar nga “EU for Innovation”, Ambasada e Suedisë dhe GIZ. Projekte të tjera ndërkombëtare që po zhvillohen në Universitetin Metropolitan Tirana janë edhe “MARDS – Reforming doctoral studies in Montenegro and Albania” dhe “Smart4all”.