Universiteti Metropolitan Tirana dhe Qëndra Metroresearch (ku përfshihet edhe Metropolitan Incubator), kanë finalizuar marrëveshjen me Partners Albania for Change and Development.

Këto marrëveshje do t’i bashkojnë të tre institucionet në krijimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e startup-eve dhe inovacionit të tilla si bootcamps, hackathones, seminare, masterclassa, workshope dhe më gjerë ku stafi akademik i UMT mund të angazhohet në tematika si sipërmarrja, sipërmarrja sociale, ekonomia qarkulluese, zhvillimi i modelit të biznesit apo inovacioni me qëllim kontributin ndaj ekosistemit të startup-eve. Gjithashtu akademikët e UMT-së do të ofrojnë ekspertizën teknike në projektet e implementuara nga palët përkatëse.

Një fokus i rëndësishëm në këtë marrëveshje lidhet me qasjet inovative në hartimin dhe shpërndarjen e programeve të ndryshme, duke u përqëndruar në aplikimin e të mësuarit përmes takimeve të personalizuara dhe zgjidhjeve online të mundësuara nga teknologji të reja për të siguruar sa më shumë akses dhe lehtësira për studime, kërkime dhe veprimtari të përbashkëta në fushën ku operojnë.

Në këtë pikë, UMT ka një eksperiencë shumë të mirë në aplikimin e suksesshëm të mësimdhënies online, duke u përshtatur shpejt përmes platformës GoToMeeting dhe platformës universitare edu4schools, ku kanë akses të gjithë studentët dhe pedagogët.

Pjesa e marrëveshjeve mes UMT, Metroresearch dhe Partners Albania for Change and Development janë edhe praktikat mësimore dhe profesionale për studentët, si edhe pajisja e tyre me certifikimet përkatëse.

Pikë e rëndësishme e marrëveshjes është edhe bashkëpunimi në Platformën “Dua Partner Invest”, që vjen si nismë e Partners  in Albania for Change and Development dhe që synon të bëjë bashkë startup-et nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, duke rritur shanset për gjetjen e investitorëve, financimit, ideve të reja të biznesit dhe mentorimit nga profesionistë shqiptarë e të huaj të fushës së menaxhimit dhe inovacionit.

Idetë e biznesit që do të vijnë edhe nga studentët, do të kenë mundësi të regjistrohen në platformë duke plotësuar kriteret e nevojshme. Në këtë mënyrë do t’u sigurohet vizibilitet më i lartë për t’i bërë idetë e tyre pjesë të tregut me sipërmarrje reale.

Platforma ofron një databazë të startup-eve inovative nga gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, si mundësi për të promovuar eventet apo thirrjet e ndryshme në rang rajonal. Ekosistemi i startup-eve dhe sipërmarrjeve inovative do të jetë më i prekshëm për të gjithë, duke krijuar një rrjet që bashkëndan informacione, ekspertiza dhe mundësi. Gjithashtu kjo platformë mbështet startup-et të cilat kanë një impakt të rëndësishëm social në komunitetet e tyre, përmes mentorimit nga ekspertë të fushës, pjesë e të cilëve do të jenë edhe mentorët e Metropolitan Incubator.

Marrëveshjet strategjike të lidhura me Partners Albania for Change and Development kanë një afat minimalisht pesë vjeçar, duke siguruar vazhdimësinë e projekteve të përbashkëta dhe implementimin e suskesshëm të tyre.