Të martën më 30 qershor patëm nderin dhe kënaqësinë të presim në Universitetin Metropolitan Tirana në një takim të gjatë pune z. Jérôme Spinoza, Këshilltarin e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Kulturor të Ambasadës Franceze në Tiranë si edhe grupin e profesorëve francezë Arben Çela, René Natowicz dhe Patrick Siarry.

Gjatë kësaj vizite, stafi drejtues dhe Presidenti i UMT Ing. Arjan Çukaj, informoi z. Jérôme Spinoza mbi programet mësimore dhe kërkimin shkencor, si edhe strategjinë e zhvillimit në bashkëpunim me institucionet franceze dhe evropiane.

Profesorët francezë dhe stafi drejtues i UMT prezantuan projektin e përbashkët për krijimin e Institutit Francez të Teknologjisë, si një Institucion i Arsimit të Lartë në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe Sistemeve Inteligjente i cili do të ofrojë programe master M2 duke filluar nga shtatori i vitit 2021 dhe master M1 duke nisur nga shtatori i vitit 2020, në bashkëpunim me “Universite Paris-Est Creteil” si dhe me disa  universitete evropiane dhe Grandes Ecoles Franceze.

Zoti Jérôme Spinoza shprehu mbështetjen e tij të plotë dhe të Ambasadës së Francës për këtë projekt ambicioz dhe unik në arsimin e lartë shqiptar dhe gadishmërinë për të mbështetur me bursa studimi studentët, por gjithashtu edhe me financime për shkëmbime të profesoratit dhe studentëve francezë e shqiptarë.

Zoti Spinoza gjatë takimit dhe njohjes me strukturat e Universitetit Metropolitan Tirana shprehu gadishmërinë e tij për të mbështetur dinamikën pozitive të Metropolitan Incubator, pjesë e UMT, në krijimin e start-up nga studentët dhe pjesëmarrjen e studentëve në konkurset ndërkombëtare të teknologjisë.