Me hidhërim njoftojmë ndarjen e parakohshme nga jeta të Rektorit të Universitetit Metropolitan Tirana, Prof. Dr. Ahmet Ceni.

Profesor Ahmet Ceni kaloi një jetë në auditor dhe në shërbim të administratës publike, duke mos u kursyer në angazhimin e tij shkencor e profesional. Nga sot, familjes do t’i mungojë një bashkëshort dhe një prind i shkëlqyer, ndërsa në Universitetin Metropolitan Tirana do të mbetet i pazëvendësueshëm pedagogu i palodhur dhe drejtuesi vizionar e plot energji.

Profesor Ahmet Ceni pasi përfundoi studimet në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1977, u bë pjesë e këtij institucioni fillimisht si pedagog e më pas si Përgjegjës i Departamentit të Organizimit të Punës. Në vitet 1992-1995 ka mbajtur detyrën e Përgjegjësit të Departamentit të Menaxhimit.

Në vitin 1998 deri në vitin 2000 ushtroi detyrën e Zëvendësministrit të Transportit dhe nga viti 2001 deri në vitin 2005 atë të Zëvendësministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, pa u shkëputur asnjëherë nga mësimdhënia.

Në vitin 2019 u bë pjesë e UMT në pozicionin e Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë dhe prej vitit 2021 u emërua Rektor i Universitetit Metropolitan Tirana.Me një karrierë të gjatë akademike, ka shkruar mbi njëqind artikuj dhe punime me karakter shkencor dhe aplikativ kryesisht në fushën e tregut të punës, të punësimit, të organizimit, të menaxhimit si edhe tekste mësimore dhe akademike.

Ikja e profesor Ahmet Cenit është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por për të gjithë studentët, kolegët dhe gjithë botën akademike shqiptare.

Familja pret ngushëllime në datat 15-16 në "Diplomat 2" në oraret 9-12 dhe 16-19 dhe në datë 17 në ish-hotel "Diplomat 1" po në të njëjtat orare. 

Lamtumirë profesor!