FPGA-të (Field Programmable Gate Arrays) janë pajisje gjysmë-përcjellëse të bazuara në matrica Blloqesh Logjike të Konfigurueshme (CLB) të lidhura përmes linjave të programueshme. Gjithashtu, FPGA-të mund të ri-programohen në funksion të një aplikacioni apo funksionaliteti të dëshiruar pas fabrikimit të tyre.

Universiteti Metropolitan Tirana ka një laborator të këtyre pajisjeve FPGA në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe IT. Laboratori është themeluar përgjatë një projekti të Bashkimit Europian (MARDS) i cili adreson çështjet më të mprehta në sistemet PhD të edukimit shqiptar dhe atij malazez.

Tashmë laboratori FPGA është i disponueshëm për të gjithë studentët dhe stafin e UMT për një edukim më cilësor përmes aplikimit të praktikave kërkimore në fushën e IT. Gjithashtu laboratori shërben për një tjetër projekt, SMART4ALL, i cili ka 25 partnerë të nivelit të lartë nga 16 vende duke përfshirë Universitetin Metropolitan Tirana në Shqipëri.

Universiteti Metropolitan Tirana në vitin 2019 u shpall fitues si partner në projektin SMART4ALL, pasi Komisioni Evropian prezantoi Strategjinë Dixhitalizuese Evropiane të Industrisë (DEI). Qëllimi i përgjithshëm i kësaj nisme është të sigurojë që çdo industri në Evropë të mund të përfitojë plotësisht nga risitë dixhitale për të përditësuar produktet e saj, proceset dhe të adaptojë modelin e biznesit në epokën dixhitale.

Me këtë qëllim projekti SMART4ALL do të ndërtojë kapacitete ndërmjet stakeholders-ave europianë, përmes zhvillimit të eksperimenteve që transferojnë njohuritë dhe teknologjitë midis akademisë dhe industrisë. Targeton CLEC (Customized low energy computing) CPS/IoT dhe kombinon një set karakteristikash unike që bashkojnë kultura, politika, zona gjeografike dhe fusha apilikimi të ndryshme në një vizion të përbashkët. Fushat e aplikimit të targetuara janë transporti i dixhitalizuar, bujqësia e dixhitalizuar, mjedisi i dixhitalizuar dhe gjithçka e dixhitalizuar.

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe IT në UMT është një ndër fakultetet me teknologjinë më të lartë në Shqipëri, me pajisje bashkëkohore në dispozicion të studentëve që zhvillojmë orët laboratorike si edhe të kërkuesve shkencorë në fushën e zhvillimeve kompjuterike, softuerike, elektrike, elektronike, mekatronike dhe telekomunikacionit.