Është inaguruar sot Metropolitan Innovation Center, një projekt i Universitetit Metropolitan Tirana në kuadër të programit “EU for Innovation” me mbështjen e Ambasadës së Suedisë në Shqipëri, GIZ dhe SIDA.

Në një ceremoni të kufizuar në pjesëmarrje për shkak të masave anti-covid, një vit pas fillimit të projektit, Metric tashmë ka edhe një hapësirë të dedikuar fizike për studentët, pedagogët, kërkuesit shkencorë apo startup-et për të zhvilluar idetë e tyre dhe për të realizuar eksperimente që mund të çojnë në patenta në të ardhmen.

Marie Bergstrom, Head of Department of Cooperation në Ambasadën e Suedisë ishte e pranishme në ceremoninë e inagurimit, duke vlerësuar idenë dhe implementimin korrekt të këtij projekti.  

“Ndihem shumë mirë në këtë mjedis, sepse edhe unë jam Inxhiniere Ndërtimi në formim dhe më vjen mirë që jam mes kolegësh. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe mendoj se Metropolitan Innovation Center është një gjë fantastike. Patëm shumë aplikantë në “EU Challenge Fund” por Metric tregoi sukses të jashtëzakonshëm. Dua të kthehem së shpejti dhe të shoh rezultatet. Suedia ka një traditë të gjatë në mbështetjen e inovacionit dhe sipërmarrjes dhe këtë po e tregon edhe në Shqipëri. I uroj sa më shumë suksese Qendrës së Inovacionit”, u shpreh Bergstrom.

Presidenti i UMT, Ing. Arjan Çukaj vlerësoi punën e bërë në vetëm një vit, duke shtuar se kjo risi vjen në mënyrë të natyrshme në një universitet që sipërmarrjen dhe inovacionin i ka pjesë integrale të tij.

“Jam i surprizuar dhe i emocionuar që shoh gjithë këtë punë, që deri një vit më parë ishte thjesht në letër. Por kjo iniciativë vjen natyrshëm në UMT. Shumë vite më parë ishim universiteti i parë që krijoi një inkubator biznesi. Sot vijmë sërish me këtë projekt ambicioz dhe inovativ. Me partnerët më të mirë, si Ambasada e Suedisë dhe GIZ, Metropolitan Innovation Center do t’i shërbejë jo vetëm të rinjve, por pedagogëve dhe kërkueseve shkencorë. Disa kanë nisur punën që tani madje.”

Presidenti i UMT ndau me të pranishmit edhe disa nga planet që institucioni ka në fushën e kërkimit shkencor, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtar.

“Kërkimi shkencor do të jetë në fokus të punës së UMT-së me disa nisma të tjera, që nga krijimi i një Këshilli Shkencor me pedagogë shqiptarë dhe të huaj. Nga ana tjetër jemi duke punuar intensivisht edhe për krijimin e Institutit të Teknologjisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Shqipëri. Jam i lumtur që kemi këto bashkëpunime me ambasadat e huaja në vendin tonë dhe që ato shfaqin shumë interes ndaj projekteve dhe ideve tona”, tha Arjan Çukaj.

Ndërkohë Drejtoresha e Projekteve në UMT, Dr. Erida Elmazi prezantoi punën e bërë përgjatë një viti dhe planet strategjike për të ardhmen, duke thënë se objektivat e qendrës janë drejtuar nga nevojat reale të grupeve të interesit. “Vendosëm të krijonim një qendër inovacioni duke parë se kemi mungesë të theksuar infrastrukture në kërkimin shkencor, një shkallë të lartë papunësie tek të rinjtë, kemi mungesë fondesh, kapacitete të limituara teknologjike dhe emigrim të profesionistëve jashtë vendit. Të gjitha këto rezultate nga studimet, na çuan në një drejtim: Të ofrojmë një mjedis inovator dhe teknologjik që të zhvillojmë potencialin e të rinjve dhe të profesionistëve. Fokusi është të kemi gjithmonë pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë, të jenë me efiçencë të lartë dhe të mbrojnë mjedisin”, tha Dr. Elmazi.

Edhe Jorida Kadare, Project Coordinator on Innovation në Swedish International Develepment Cooperation Agency, foli për
shërbimin e specializuar që Metropolitan Innovation Center do të ofrojë.

“Një rrugëtim i gjatë më shumë se një vit. Jam krenare për punën e palodhur të Universitetit Metropolitan dhe gjithë rezultatet që kemi arritur. E veçanta është se ju do të ofroni një shërbim shumë të specializuar. Kemi shumë incubator-e dhe accelerator-e në Shqipëri, por nuk kishim deri tani një qendër të tillë, që bën bashkë teknologjinë dhe ekspertizën më të mirë”, tha Kadare.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës, Prof. Asoc. Dr. Emre Çeçen tha se pajisjet janë zgjedhur me shumë kujdes. “Infrastruktura tashmë është e gjerë dhe këtë mundësi do ta shfrytëzojnë studentët dhe kolegët tanë”, u shpreh ai.

Ndërkohë Zv.Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe IT në UMT, Dr. Elton Domnori i cili ka qenë pjesë aktive e implementimit të projektit dhe krijimit të qendrës tha se disa prej pajisjeve laboratorike nuk janë vetëm fjala e fundit e teknologjisë, por janë unike në Shqipëri.

“Nuk është thjesht një qendër, por një komunitet. Nuk do të jemi vetëm UMT, por do jemi Shqipëria në këtë qendër, sepse në të do të kenë akses edhe kërkues shkencorë nga institucione të tjera për projekte të ndryshme. Them me bindje se disa prej pajisjeve laboratorike në fushën elektrike dhe të telekomunikacionit janë unike në Shqipëri”, tha Dr. Domnori.

Metropolitan Innovation Center do të jetë e hapur dhe e aksesueshme për të gjithë individët të interesuar që dëshirojnë të përdorin infrastrukturën dhe ekspertizën që ofron qendra.