THE COST ACTION CA18214, projekti që përfshin 160 partnerë kërkimorë nga 35 vende të ndryshme, vjen në Shqipëri me temën "Gjeografia e hapësirave të reja të punës dhe ndikimi në periferi".

Në datat 26-29 shtator 2021, do të organizohet takimi i pestë me mbi 40 pedagogë nga universitete europiane në Durrës, në projektin e “New Working Spaces” dhe Politecnico di Milano, në partneritet me Universitetin Metropolitan Tirana dhe Universitetin Epoka.

Ndër qëllimet kryesore të projektit është ndarja e rezultateve shkencore të hapësirave të reja të punës që nga CA18214 klasifikohen në: a) hapësira të punës bashkëpunuese dhe krijuese (ku përfshihen hapësirat coworking dhe smartwork centers); b) hapësirat krijuese dhe hapësira të tjera teknike (laboratorë fabrikash); c) hapësira të tjera të reja pune (hackerspaces, Living Lab dhe laboratorë të korporatave); d) hapësira të reja joformale të punës (si kafene dhe biblioteka).

Gjithashtu në qëllimet e projektit bëjnë pjesë krahasimi i praktikave më të mira dhe ndikimet direkte apo indirekte me një fokus të veçantë në periferi si edhe bashkëndarja e politikave në të gjitha vendet.

UMT është pjesë e këtij projekti përmes ekspertëve dhe pedagogëve të Fakultetit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës me iniciativë të Dr. Ernest Shtepani, në kuadër të ndërkombëtarizimit të universitetit dhe krijimit të mundësive të reja për kërkim shkencor dhe shkëmbime si për stafin akademik, ashtu edhe për studentët.