Një rrugëtim i suksesshëm akademik është padyshim synimi dhe ëndrra e gjithë studentëve. Ndaj për të bërë realitet këtë aspiratë, studenti duhet të përmbushë dy elementë: të përzgjedhë universitetin e duhur dhe të ketë forcën, dëshirën dhe vullnetin që të zhvillohet për të ndërtuar kompetenca profesionale. Pikërisht kjo është edhe përgjigjia e studentes Megi Kurti ndaj pyetjes në lidhje me studimet dhe karrierën e saj.

‘‘Zgjodha Universitetin Metropolitan Tirana pasi ofronte standarde të larta në mësimdhënie si edhe terrenin e duhur për t’u zhvilluar dhe promovuar në arenën ndërkombëtare falë programeve të ngjashme të studimeve në Evropë dhe Amerikë…UMT ishte i vetmi universitet që mund të më ndihmonte të realizoja objektivat dhe ambiciet e mia.’’
Ekselente që në fillim të studimeve të saj, në programin Informatikë Ekonomike pranë Fakultetit të Ekonomisë, Megi tashmë është në fund të studimeve bachelor dhe brenda tre viteve rrugëtimi i saj akademik përfshin disa shkëmbime në disa shtete si: Kaliforni, Itali dhe së fundmi në Washington D.C. Megi është një shembull se si këmbëngulja dhe dëshira për të mësuar përkthehen në një rrugëtim të suksesshëm.


‘‘Që e vogël kam ëndërruar një të ardhme profesionalisht të ndritshme, akademikisht frytdhënëse si edhe me përvoja studimore ndërkombëtare. Falë seancave informuese dhe njoftimeve në postën elektronike, u njoha me thirrjen për aplikim të bursës për mobilitet në California State University San Marcos (CSUSM). Kjo eksperiencë e parë në SHBA ka qenë përmes bursës UGRAD e financuar tërësisht nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Mobiliteti zgjati 4 muaj, nga ku ndoqa 4 kurse, 20 orë vullnetare, kurse për përvetësimin e gjuhës angleze dhe përshtatjen me kulturën amerikane. Përfitimet ishin të shumta si në aspektin profesional dhe personal. Mobiliteti konkludoi me 3 certifikata dhe 1 medalje ari. Për më tepër krijova kontakte dhe miqësi të reja, pata shansin të udhëtoj dhe vizitoj vende të mrekullueshme.’’
Për një studente të një kalibri të tillë, eksperiencat ndërkombëtare sigurisht që do të vazhdonin më tej. Falë marrëveshjeve të bashkëpunimit që Universiteti Metropolitan Tirana ka realizuar me universitete dhe rrjete prestigjioze europiane në kuadër të programeve të ndryshme të bashkëpunimit, Megi fitoi një bursë të plotë mobiliteti 5 mujore në Universitetin Politeknik të Barit. Granti u akordua nga projekti SEMINARE, ku UMT bashkëpunon me rrjetin UNIMED.

‘‘Bursa që fitova në Bari më dha mundësinë të përjetoja përvojën unike të jetuarit në Itali. Përmes zhvillimit të moduleve arrita të përmirësoj njohuritë e mia profesionale në fushën e IT-së, si edhe të përsos më tej shkathtësitë ndërkulturore. Por jo vetëm kaq.. kjo bursë këtë herë më ofroi një mundësi tjetër duke më afruar me tregun e punës. Aplikova për internshipin WITY – Young Women in Technology në Bankën Botërore në Washindton D.C dhe tashmë do të punojë aty për tre muaj. Internshipi është i gjithë i paguar në formë granti falë programit të sipërpërmendur.’’

Megi është padyshim një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë të rinjtë. Një studente e shkëlqyer, e talentuar, me impenjim të jashtëzakonshëm, e motivuar për të ecur përpara dhe për t’u përmirësuar vazhdimisht, e karakterizuar nga një qëndrim pozitiv duke lartësuar kështu emrin e Universitetit Metropolitan Tirana.